Skaner diplomatik pas samitit
Nga Shaban Murati
-Një pyetje njëmilion dollarëshe po qarkullon në qarqet diplomatike në Tiranë: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e priti në Tiranë presidentin e Francës Emanuel Makron si shtetas i Shqipërisë apo si shtetas i Francës?
-Presidenti i Serbisë Vuçiç në 16 tetor i bëri një top të madh BE dhe Ramës. Midis BE nga njera anë dhe Rusisë e Kinës nga ana tjetër, Vuçiç zgjodhi të shkojë në Pekin, ku është edhe Putini, sepse Rusia dhe Kina janë aleatë strategjikë për të, jo BE. BE bën sikur nuk e sheh dhe sikur nuk e ndjen shuplakën serbe ndaj saj, siç bëri edhe për sulmin ushtarak terrorist serb të 24 shtatorit kundër Kosovës. Vuçiç flen për natë në shtratin e Putinit, kurse Brukseli qetëson veten me iluzionin se me letra e ka grua Serbinë.
Kurse Tirana bën sikur nuk kupton asgjë, sepse rajai ia fal gjithmonë përçmimet e agait.
– Nuk dihet pse në Tiranë i dhanë rëndësi nxirjes teatrale në fytyrë të kryeministres serbe Bernabiç në samit. Me atë nxirje surrati ajo u përpoq t’i jepte rëndësi vetes të dukej tamam burrë, sepse fuqi nuk ka, sepse ajo është e katërta apo e pesta në hierarkinë e pushtetit në Beograd. Vlera e saj është vetëm se me Bernabiçin si përfaqësuese e LGBT, Serbia i quan të plotësuara standartet e BE për anëtarësim.
-Në Tiranë nuk e bëjnë aspak pyetjen diplomatike pse Makron neglizhoi samitin e Procesit të Berlinit në drekë dhe vjen po atë ditë mbasdreke për vizitë në Tiranë. Nuk e bëjnë, sepse Tirana është e para që e tradhëtoi “Procesin e Berlinit” kur iu bashkua projektit të Vuçiçit të “Ballkanit të Hapur”.
-Çudia diplomatike shqiptare është që presidenti i Francës Makron vjen zyrtarisht për vizitë shtetërore presidenciale në Shqipëri dhe darkën zyrtare dhe dekoratën zyrtare ia jep kryeministri dhe konferencën e përbashkët të shtypit e mban me kryeministrin e Shqipërisë. Të paktën të ndryshojnë përcaktimin dhe ta quajnë vizitë kryeministrore e presidentit të Francës në Tiranë.
(Ndoshta ju ndihmon për gjetjen e përgjigjes së pyetjes së fillimit).
Rruga Press