Scholz dënon në mënyrën më të ashpër sulmin në Banjskë
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se dënon në mënyrë më të ashpër sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.
“Morëm një goditje në rajon. Para disa javëve policët e Kosovës u sulmuan në mënyrë brutale, dhe një polic u vra. E dënojmë në mënyrë më të ashpër këtë gjë”, ka thënë Scholz në konferencë për media.
Scholz ka thënë se në Samitin në Tiranë e ka thënë qartë edhe njëherë se duhet të ketë bashkëpunim rajonal dhe të zgjidhen konfliktet e kaluara.
“Duhet përmirësim konkret e i prekshëm, duhen marrëveshje që lehtësojnë jetën e përditshme, që bashkojnë qytetarët, e që është me rëndësi, marrëveshje që rrisin besimin e ndërsjellë. Procesi i Berlinit nga viti 2014 po kryen këtë detyrë”, ka thënë Scholz, ndërsa ka shpjeguar marrëveshjet arritura të hënën.
Ai ka thënë se Samiti i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit vitin e ardhshëm do të mbahet në Gjermani. Ai ka falënderuar Shqipërinë për organizimin e Samitit të së hënës.
“Është shenjë e mirë që për herë të parë Procesi i Berlinit u mbajt në një vend të Ballkanit Perëndimor, e që prezent ishin presidentët apo kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kjo dëshmon për angazhimin e këtyre vendeve për këtë Proces dhe po ashtu se sa i rëndësishëm është ky Proces që të shtyjë para Ballkanin Perëndimor drejt BE-së”, ka thënë Scholz.
Rruga Press