Samiti i Berlinit në Tiranë. Kryeministri Kurti sot takohet me kancelarin Scholz
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Tiranës për të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. Zyra e Kryeministrit ka njoftuar të dielën mbrëma se në margjina të samitit, Kurti pritet të takohet edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, udhëtoi drejt Tiranës ku do të merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit. Në margjina të samitit, Kryeministri Kurti do të ketë takime bilaterale, përfshirë atë me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz”, thuhet në njoftim.
Samiti i liderëve të Procesit të Berlinit për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Në Samit do të marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.
Samiti do të jetë vendtakimi i dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti e Edi Rama, pas përplasjeve muajve të fundit.
Kryeministri Rama është kritikuar në Kosovë për qëndrimet e dhëna ditëve të fundit lidhur me situatën e tensionuar në veri, pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku nga një grup terroristësh serbë.
Rruga Press