Fluks tifozësh në Qafë-Thanë, shqiptarët e Maqedonisë drejt Tiranës për kombëtaren
Dhjetëra shqiptarë të Maqedonisë së Veriut i janë drejtuar, këtë të enjte, Tiranës me mjete private për të ndjekur në stadium dhe ekranet gjigante në sheshet e kryeqytetit, ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Euro2024, Shqipëri-Çeki.
Në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, një prej tifozëve të prononcuar për mikrofonin e A2 CNN shprehet se në minutat e fundit ka gjetur biletë dhe ka ardhur nga Amerika, enkas për të përjetuar live emocionet që përcjell kombëtarja kuqezi.
“Ditën e fundit e gjeta biletën. Nga Amerika, enkas për shqipet”, u shpreh ai.
Për këtë sfidë, do të mungojnë organizimet masive nga grupimi i tifozëve “Ballistët” për shkak të një mosmarrëveshje me FSHF-në.
Por mbështetësit e kombëtares janë duke ardhur privatisht nga Tetova, Kërçova, Struga dhe qytete të tjera me shumicë shqiptare.
Rruga Press