Stoltenberg: Është e rëndësishme të rritet numri i pjesëtarëve të KFOR-it
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se është e rëndësishme që të rritet numri i pjesëtarëve të misionit KFOR për shkak të rritjes së tensioneve në Kosovë.
NATO-ja mori vendim të vendosë trupa shtesë në Kosovë, pas sulmit nga grupi paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Kemi parë rritje tensionesh, prandaj është e rëndësishme që NATO të rrisë prezencën në Kosovë”, ka thënë Stoltenberg të mërkurën para samitit dyditor me ministrat e Mbrojtjes të shteteve anëtare në Bruksel.
Ministrat e Mbrojtjes së NATO-s të mërkurën dhe të enjten do të diskutojnë për shumë zhvillime, përfshirë situatën në Kosovë.
Përveç Kosovës, NATO-ja do të diskutojë edhe për Ukrainën, zhvillimet në Lindjen e Mesme pas konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit dhe dëmtimin e gazsjellësit në Finlandë. Diskutime do të ketë edhe për forcimin e mëtejmë të mbrojtjes së NATO-s.
Rruga Press