Rëndohet bilanci/ Mbi 1200 viktima në Izrael, goditen qindra objektiva në Gaza dhe shkon në 900 numri i viktimave palestineze
Numri i të vdekurve nga sulmi i nisur të shtunën nga Hamasi është rritur në të paktën 1,200 dhe rreth 3,000 të plagosur në Izrael. Lajmi u raportua nga mediat izraelite, të cilat cituan ushtrinë vendase. Ndërsa sipas asaj që është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, numri i viktimave palestineze ka shkuar në 900 dhe 4,600 të plagosur.
Dhjetëra avionë luftarakë të Forcave Ajrore izraelite kanë goditur më shumë se 200 objektiva në lagjen Al-Furqan në Gaza, që besohet të jetë pika e nxehtë nga ku Hamasi harton dhe ekzekuton sulmet. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thonë se ky është kundërsulmi i tretë në zonë gjatë 24 orëve të fundit.
Ndërkohë kanë dalë në dritë detajet e një masakre në një fshat izraelit ku luftimet vazhduan deri të martën në mëngjes. Një gjeneral izraelit foli për foshnjat e vrara në dhomat e tyre të gjumit, ndërsa disa prej të vdekurve u ishin prerë kokat
Presidenti i SHBA Joe Biden e ka përshkruar sulmin e Hamasit ndaj Izraelit – i nisur të shtunën – si një “akt të së keqes së plotë”.
Avioni i parë amerikan që mban armë për Izraelin ka mbërritur në jug të vendit. SHBA po punon me vendet e tjera për të krijuar një korridor që do të lejojë civilët në Gaza dhe amerikanët që duan t’i shpëtojnë luftës të largohen. Kjo është raportuar nga NBC, duke cituar disa burime, sipas të cilave korridori do të ishte në jug të Gazës dhe do të çonte në Egjipt.
Ndërkaq ushtria izraelite ka konfirmuar se rreth 300,000 ushtarë janë vendosur pranë Rripit të Gazës për luftën kundër Hamasit.
“Ajo që po bëjmë në këto zona afër Rripit është se kemi dërguar dhe dislokuar këmbësorinë tonë, ushtarët tanë të blinduar, trupat tona të artilerisë dhe shumë ushtarë të tjerë rezervë: gjithsej 300,000. Dhe kjo është për të siguruar që Hamasi, në fund të kësaj lufte, nuk do të ketë aftësi ushtarake me të cilat të kërcënojë ose vrasë civilët izraelitë”, shpjegoi zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes izraelite Jonathan Conricus.
Rruga Press