Çfarë shkruan shtypi gjermanofolës për Milan Radoiçiqin dhe për Vuçiqin “pothuajse të nënshtruar” në CNN
Situata në Kosovë, para së gjithash rasti i Milan Radoiçiqit, është ende një temë që mbulohet në masë të madhe nga shtypi në gjuhën gjermane. Një mesazh nga qeveria gjermane: “Agresioni duhet të ndalet”.
Një ditë pas arrestimit të tij në Beograd, Milan Radoiçiq, iniciatori i sulmit të fundit të formacioneve paraushtarake serbe ndaj policëve të Kosovës, është liruar nga paraburgimi, raportojnë mediat gjermane, përcjell Deutsche Welle. Agjencia gjermane DPA bën të ditur se gjyqtari hetues i Gjykatës së Lartë në Beograd ka refuzuar kërkesën e prokurorit për paraburgim prej 30 ditësh.
“Biznesmeni dhe politikani kosovar-serb nuk lejohet të largohet nga Serbia apo vendbanimi i tij, nuk i lejohet të udhëtojë në Kosovë dhe duhet të paraqitet në polici në fillim dhe në mes të çdo muaji. I është konfiskuar pasaporta”, shkruan DPA.
Siç transmeton “Danas“, agjencia gjermane DPA rikujton se Radoiçiq “e ka pranuar publikisht përgjegjësinë për sulmin e militantëve serbë ndaj policëve në veri të Kosovës më 24 shtator”. Gjithashtu thuhet se Radoiçiq, siç ka njoftuar prokuroria publike, akuzohej se nga janari i vitit 2023 deri më 24 shtator në Tuzla të Bosnja e Hercegovinës ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese dhe i ka fshehur në ndërtesa dhe pyje të braktisura në Kosovë. Si drejtues i grupit ai ka vënë njerëzit në rrezik gjatë aksionit të 24 shtatorit në Banjskë”.
“Gjatë seancës dëgjimore me prokurorin, Radoiçiq mohoi aktet kriminale, por më herët”, siç raportohet, “publikisht ka deklaruar se ka dashur ta inkurajojë popullin e Kosovës në rezistencën ndaj regjimit të (kryeministrit) Albin Kurti”.
“Agresioni duhet të ndalet”
Gazeta “Tagesspiegel” shkruan se ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius (SPD) nuk e përjashton mundësinë e rritjes së numrit të ushtarëve gjermanë në misionin e KFOR-it, por shtoi se kjo nuk është planifikuar aktualisht. “Ne po monitorojmë situatën”, tha Pistorius, “dhe do të reagojmë nëse është e nevojshme shumë, shumë shpejt”.
Mediat përcjellin edhe deklaratën e ministrit gjerman të Bujqësisë Cem Özdemir (Partia e të Gjelbërve), që aktualisht ndodhet në një turne nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili vlerëson se “veprimet e fundit kërcënuese të Serbisë, e veçanërisht sulmet ndaj Kosovës, që kanë ardhur nga territori serb, janë krejtësisht të papranueshme”.
“Agresioni duhet të ndalet, Serbia duhet të de-përshkallëzojë dhe të reduktojë trupat e saj në zonën kufitare”, tha Özdemir. Sipas tij, Gjermania dhe BE-ja duhet ta bëjnë të qartë se agresioni i mëtejshëm do të ketë pasoja dhe se nuk do të rrinë duarkryq.
Vuçiq në CNN – “pothuajse i nënshtruar”
Gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” shkruan se pas të shtënave në veri të Kosovës, Beogradi dhe Prishtina iu rikthyen luftës së fjalëve. “Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pasur një paraqitje atipike në CNN të hënën në mbrëmje. Vuçiq, i cili shpesh herë i vë në skenë paraqitjet e tij në mediat serbe si drama – kur gjëmon, psherëtin dhe qorton gazetarët – ishte pothuajse i nënshtruar në raport me Christiane Amanpour në CNN. Ai tha se i respekton gjetjet e shërbimeve të inteligjencës amerikane, por se ato nuk janë të sakta në lidhje me dislokimin e pretenduar të ushtrisë serbe”.
Gazeta transmeton edhe deklaratën e Vuçiqit nga ajo intervistë se “aktualisht janë vetëm 4,400 trupa në ‘vijën administrative’ me Kosovën dhe trupat nuk janë në gatishmëri të lartë, por po monitorojnë situatën”. Vuçiq u bëri thirrje forcave të KFOR-it, të udhëhequra nga NATO, që të marrin përgjegjësinë për sigurinë në veri të Kosovës. Kjo është mënyra e vetme, vlerëson ai, që serbët të ndihen të sigurt atje”.
Sipas gazetës zvicerane, synimi i presidentit të Serbisë është “të dobësojë edhe më tej kontrollin e Prishtinës mbi atë zonë”. Vuçiq gjithashtu “vazhdon të mohojë se Serbia ishte e përfshirë në sulmin në Banjskë. Ai e dënoi atë akt dhe tha se ishte shprehje e dëshpërimit të serbëve të shtypur nga Prishtina dhe theksoi se veprime të tilla të njëanshme e dëmtojnë vendin e tij. Në fund të fundit, thotë ai, negociatat e fundit me Kosovën shkuan në dobi të Beogradit”, përcjell Noje Zircher Zeitung fjalët e Aleksandar Vuçiqit. Dhe vlerëson:
“Kjo është e vërtetë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duket se ka qenë frenues për negociatorët, sepse refuzoi të formojë Asociacionin e komunave serbe të dakorduar. Për shkak të kësaj, Kosova gjatë verës u përball me sanksione të buta nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja”, shkruan gazeta zvicerane dhe shton se “sulmi serb tashmë me një lëvizje ka ndryshuar ekuilibrin”.
“Kritikët e ‘dorëzimit’ të Vuçiqit tani kanë marrë mbështetjen e dy shteteve fqinje të Serbisë. Kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama dhe Kroacisë, Andrej Plenkoviq, i kanë bërë thirrje BE-së të vendosë sanksione ndaj Beogradit. Dhe vetë fakti që Serbia shpalli zi kombëtare pas sulmit flet për përfshirjen e Vuçiqit në këtë aferë”, përfundon “Neue Zürcher Zeitung”.
Krizë në vend të bashkëpunimit
Gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung kujton se ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock do të takohet këtë të premte (6 tetor) në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, me kolegë nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera anëtare. Qëllimi i takimit është nxitja e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe afrimi i tyre me BE-në.
“Qeveria gjermane shpresonte se do të kishte disa lajme pozitive nga rajoni. Ata besuan se marrëveshjet e bashkëpunimit që kanë filluar vitin e kaluar mund të avansoheshin më tej. Por vendosja e trupave serbe në kufirin me Kosovën e la në hije takimin, i cili ndoshta do të bëhet një vend i përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e krizës, ashtu si samiti joformal i BE-së që po mbahet në Granada të njëjtën ditë”, raporton Süddeutsche Zeitung , duke shtuar se “janë në rritje në tensionet e Bosnjë e Hercegovinë midis Presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik, nga njëra anë, dhe autoriteteve shtetërore në Sarajevë dhe komunitetit ndërkombëtar, nga ana tjetër”.
Süddeutsche Zeitung: “Një burrë, shumë fjalë”
E njëjta gazetë përcjell komentin e gazetarit Tobias Zick, në të cilin ai vlerëson: “Ende nuk është e qartë se cili ishte qëllimi i saktë prapa sulmit terrorist në të cilin sulmuesit serbë të armatosur rëndë vranë një polic të Kosovës javën e kaluar. Por një gjë është e qartë: Milan Radoiçiq, të cilin autoritetet e Kosovës e identifikuan si kreun e bandës përmes një videoje me dron, mori përgjegjësinë për krimin”.
“Ai i dyshuar, kriminel i rëndë, i cili është nën sanksionet e SHBA-së, është një nga politikanët më të fuqishëm në veri të Kosovës dhe konsiderohet bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit të Serbisë, Vuçiq. Të dy tani pohojnë se Radoiçiq, pa dijeninë e Qeverisë [serbe], ka shprehur pakënaqësinë e serbëve vendas ndaj autoriteteve të Kosovës, duke përdorur një shpërthim spontan të zemërimit të armatosur. Megjithatë, kjo është një pikëpyetje të madhe”, vlerëson autori.
“Fjalët e tij dëshmojnë se Vuçiq nuk i hodhi poshtë plotësisht veprimet e sulmuesve të armatosur mirë: jo shumë kohë pas sulmit, ai u ankua për gjoja ‘spastrimin etnik’ të cilit i nënshtrohen serbët në Kosovë. Ndërmjetësuesit e BE-së nuk reaguan mjaftueshëm ndaj asaj retorike krejtësisht të ekzagjeruar dhe ndonjëherë nxitëse në muajt e kaluar, përkundrazi e rritën presionin ndaj palës kosovare në mënyrë joproporcionale”, shkruan gazetari gjerman dhe përfundon:
“Edhe pse Vuçiq publikisht pretendon se nuk dëshiron luftë, pyetja është se çfarë dëshiron në të vërtetë. Paqe? Diplomatët evropianë duhet të kërkojnë më me vendosmëri përgjigje detyruese, nëse duan të merren seriozisht në vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në fund të komentit të publikuar në Süddeutsche Zeitung.
Rruga Press