Ministrja Haxhiu: Aktivitete që tregojnë seriozitet e përkushtim në zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se zbatimi i tërësishëm i 43% të aktiviteteve të Strategjisë për Sundimin e Ligjit dhe ai i pjesërishëm i 45% prej tyre, tregon seriozitet e përkushtim në ndërmarrjen e veprimeve nga institucionet për rend e ligj.
“Në raportin njëvjeçar në tërësi janë evidentuar si 43 % të aktiviteteve të zbatuara tërësisht, ndërsa 45 % të zbatuara pjesësisht, çka vlerësoj që tregon një seriozitet dhe përkushtim në ndërmarrjen e veprimeve. Edhe raporti i fundit gjashtëmujor të cilin e kemi miratuar në Komitetin Drejtues gjatë muajit shtator, tregon zbatim të lartë nga institucionet, pra zbatim të lartë të strategjisë, të aktiviteteve që parashihen”, tha Haxhiu.
Këtë deklarim, ajo e bëri në konferencën e publikimit të raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) me titull “(Mos) Zbatimi i Strategjisë së Sundimit të Ligjit në Praktikë”.
“Mendoj që nuk është real titulli (i Raportit), për sa kohë 43 për qind të aktiviteteve janë zbatuar tërësisht dhe në anën tjetër 45 janë në zbatim e sipër. Në qoftë se shohim strategjitë të cilat janë të miratuara nga institucionet, nuk kemi asnjë të tillë që ka një përqindje të zbatimit në këtë mënyrë. Megjithatë, ndoshta për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik me atë që përmban raporti ndoshta është interesant titulli, por mendoj që është joreal”, tha Haxhiu.
Ajo tha se MD ka arritur të miratojë një gamë të gjerë të politikave dhe ligjeve
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të National Endowmend for Democracy (NED), të mërkurën publikoi raportin lidhur me zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit (SSL), raport në të cilin është analizuar çështja e përmbushjes së aktiviteteve nga ana e institucioneve që kanë pasur obligim t’i përmbushin aktivitetet e përcaktuara me SSL dhe Plan të Veprimit.