Komisioneri evropian në PE: Tejet shqetësuese retorika e Beogradit dhe shpallja e zisë
Komisioneri evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiq, ka përsëritur se kryesit e sulmit në Banjskë “gjithsesi duhet të vihen para drejtësisë” dhe se sulmi nuk duhet të përdoret si arsyetim për shmangie të vëmendjes nga dialogu Kosovë-Serbi.
Ai e ka quajtur të paprecedentë sulmin e kryesuar nga Milan Radoiçiq ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Siç ka thënë Lenarçiq, sasia masive e armëve që u konfiskuan ngreh shqetësime serioze.
“Ky është alarm i fortë që situata në veri të Kosovës është ekstremisht serioze”.
Lenarçiq në Parlamentin Evropian ku po diskutohet rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe dialogun, ka deklaruar se Bashkimi Evropian pret prej Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht.
Ndërkaq, shqetësuese e ka theksuar edhe retorikën e Beogradit.
“BE-ja po e ndjek afër hetimet në vijim dhe pret që kryesit të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht duke përfshirë edhe në parandalimin e kontrabandimit të armëve afër vijës kufitare administrative. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund ta përshkallëzojë situatën. Retorika nga Beogradi sa i përket 24 shtatorit është tejet shqetësuese, po ashtu mënyra në të cilën dita e zisë është shpallur, ajo që është e qartë në këtë fazë është që ky operacion tregon një armatim të rëndë ushtarak dhe përbën përshkallëzim madhor që shkon në kundërshtim me thirrjet e BE-së për depërshkallëzim”.
Ai ka theksuar se përshkallëzimi i mëtejmë do të ketë ndikim negativ në rrugëtimin evropian për të dyja shtetet.
Rruga Press