Lajme

Analiza/ Serbia drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Një varg dorëheqjesh të kryetarëve të bashkive anembanë Serbisë të çon në konstatimin se Serbia po përgatitet për zgjedhjet parlamentare, lokale dhe rajonale. Sipas vlerësimeve aktuale, zgjedhjet mund të mbahen më 17 dhjetor, e përveç dorëheqjes së kryetarëve të komunave, pritet të japë dorëheqje edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç. Kjo është një lloj përgjigje ndaj një pjese të opozitës që i ka kërkuar zgjedhje të reja presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Siç ka deklaruar edhe vetë presidenti i Serbisë, “do të jenë së bashku zgjedhjet parlamentare e lokale, si dhe ato për qytetin e Beogradit dhe disa komunave”. I pyetur nëse do të jetë bartës i listës së Partisë Përparimtare Serbe (SNS), Vuçiç është përgjigjur se kjo do të ishte nder dhe kënaqësi për të.

Zgjedhjet nuk janë zgjidhje
Zgjedhjet e jashtëzakonshme zakonisht thirren për zgjidhjen e ndonjë krize politike, por bashkëbiseduesit e DW paralajmërojnë se as me këto zgjedhje nuk do të zgjidhet asgjë në Serbi. Siç tha për DW, Zoran Gavriloviç, nga Byroja e Kërkimeve Sociale (BIRODI), “ky hap tregon se ne kemi një sistem zgjedhor që është në funksion të një partie dhe një personi”.

“Ky në fakt është një keqpërdorim i zgjedhjeve, ku në vend që të zgjedhim kandidatët më të mirë, do të kemi zgjedhje në të gjitha nivelet, ku zgjedhja do të bëhet me aklamacion mes mbështetjes dhe refuzimit të pushtetit personal të Aleksandar Vuçiçit”, vlerëson Gavriloviç.

Kosova dhe opozita e papërgatitur
Nëse opozita i shihte zgjedhjet si një lloj strategjie për dalje nga kriza, pas dështimit praktik të protestave në rrugë në të gjithë Serbinë, nuk është saktësisht e qartë pse partia në pushtet dëshiron me kaq shpejtësi të mbajë zgjedhje të jashtëzakonshme. Profesori i Fakultetit të Shkencave Politike, Çedomir Çupiç, beson se “disa ngjarje janë përshpejtuar,mbi të gjitha në Kosovë. Por Vuçiq ndoshta po llogarit edhe me papërgatitjen e opozitës për zgjedhje”. Vetë opozita ende nuk ka hartuar ndonjë strategji apo taktikë për zgjedhjet dhe supozohet se në një hark kohor kaq të shkurtër nuk do të mund ta bëjë këtë siç duhet”, tha Çupiç për DW.

Lexo më shumë  Dita e Forcës, Kurti: Kemi shumëfishim të pajisjeve nga Turqia, Gjermania, Kroacia...

Është e qartë se pas rritjes së paralajmëruar të çmimeve, gjendja ekonomike në kohën kur është dashur të mbahen zgjedhjet nuk do të jetë e njëjtë si në fund të këtij viti, vëren Zoran Gavriloviq.”Ka frikë edhe brenda qeverisë se disponimi do të ndryshojë gjithnjë e më shumë edhe pas ngjarjeve tragjike në Kosovë. Por, përkundër kësaj, ne ende kemi një qeveri që lë pas institucionet e shkatërruara dhe shtetin e rrënuar ligjor. Prandaj mendoj se këto do të jenë zgjedhje që nuk do të zgjidhin asgjë dhe se kriza që kemi do të vazhdojë”, paralajmëron Gavriloviç.

Zgjedhjet në kushte të njëjta si më parë
Një nga kërkesat e opozitës është edhe ndarja e zgjedhjeve në nivele të ndryshme, për të ulur sa më shumë ndikimin e vetë Vuçiçit si bartës i listës së SNS-së në zgjedhje. Kjo kërkesë i referohej fillimisht një date të veçantë për zgjedhjet në Beograd, i cili aktualisht shihet si vendi ku opozita ka shanset më të mira për rezultatin më të mirë në Serbi. Mirëpo, të paktën tani për tani, këmbëngulja e opozitës nuk do të rezultojë me sukses.

Edhe opozita kishte qëndrime krejtësisht të ndryshme për këtë – disa ishin për të shkuar në zgjedhje me çdo kusht, të tjerët jo, thotë Çedomir Çupiç.

“Padyshim që i shkon për shtat partisë në pushtet që të gjitha zgjedhjet të mbahen në të njëjtën kohë, sepse kjo lë më shumë hapësirë ​​për manipulime të ndryshme. Gjithçka tregon gjendjen e demokracisë në Serbi. Opozita ndoshta do të mund të bënte diçka më shumë për ndarjen e zgjedhjeve, ose për kushtet e zgjedhjeve, nëse do të ishte më e unike dhe sikur të kishte një pikëpamje të përbashkët për zgjedhjet”, beson profesori Çupiç.

Lexo më shumë  27 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë

Ndërsa Zoran Gavriloviq thekson se “së pari, nuk është e qartë pse opozita kërkoi zgjedhje”. Nuk besoj se Vuçiq do të heqë dorë nga privilegji për të vendosur emrin e tij kundër opozitës. Është humbur edhe mundësia për të shndërruar energjinë e protestës në diçka që do të jetë të paktën një lloj ndryshimi në sferën mediatike, e cila është e rëndësishme jo vetëm për procesin zgjedhor. Tani opozita ka kërkuar zgjedhje, Vuçiç është përgjigjur se do t’ua plotësojë këtë kërkesë, por kushtet zgjedhore nuk do të ndryshojnë. Prandaj ne tani po nxitojmë në një krizë të re”, vëren Gavriloviç.

Sundimi i kalkulimeve të vogla
Nga ana tjetër, tema e kushteve zgjedhore pothuajse është zhdukur nga debati publik dhe me sa shihet, as opozita nuk insiston shumë për zgjidhjen e këtij problemi. Për profesor Çupiçin, “kjo tashmë tregon mjaft se si do të dukeshin zgjedhjet e jashtëzakonshme. Pra, ne po hyjmë në një lojë politike në të cilën përfundimi do të jetë që dikush të hyjë në parlament, por sa i përket jetës së përgjithshme politike në Serbi, asgjë nuk do të ndryshojë. Ka shumë kalkulime të vogla për të ndryshuar rrënjësisht diçka”, thekson Çupić.

Mendoj se në fund opozita u tremb nga numri i vogël i protestuesve, thotë Zoran Gavriloviç dhe shton se “pret që Bashkimi Evropian të ndërhyjë”.

“Nëse shikojmë se çfarë ka ndodhur në veri të Kosovës, është dëshmi e qartë se institucionet nuk po e bëjnë punën e tyre. Është një problem serioz që disi shkon përtej kufijve të Serbisë dhe zgjedhjet si kjo në këto kushte në fakt vetëm sa e zgjasin krizën e thellë në të cilën gjendet Serbia”, përfundon Zoran Gavriloviç./DW

Rruga Press

YouTube player