Komandantja supreme takon ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e FSK-së
Zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, puna e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe koordinimi me aleatët e prania ndërkombëtare e sigurisë në Kosovë kanë qenë temat që kanë diskutuar të shtunën tre udhëheqësit e mbrojtjes në Kosovë.
Siç ka njoftuar Presidenca e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, që njëherësh është edhe komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka takuar sot ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin dhe komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.
“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri në vend e rajon dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë në partneritet të ngushtë me aleatet tanë”, thuhet në njoftim të presidentes.
Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues. Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.
Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim.
NATO-ja ka shtuar forcat në veri.
FSK-ja si forcë e sigurisë nuk mund të futet në veri të vendit pa koordinim me NATO-n, bazuar në një zotim të ish-kryeministrit Hashim Thaçi. Të shtunën, këtë zotim, kryeministri aktual, Albin Kurti, e ka kualifikuar si gjë që ka lënë vakum në veri të Kosovës.
Rruga Press