Origjina e koronavirusit, Kina refuzon planin e OBSH për një hetim të dytë
Kina refuzon planin e OBSH-së, për hetime të mëtejshme lidhur me origjinën e koronavirusit, në qendër të së cilit është hipoteza se ai mund të ketë dalë nga një laborator kinez.
Organizata Botërore e Shëndetësisë propozoi këtë muaj një fazë të dytë hetimesh për origjinën e Covid-19, si pjesë e të cilës do të zhvilloheshin auditime të laboratorëve dhe tregjeve në qytetin e Wuhanit, me kërkesën për transparencë ndaj autoriteteve.
Por zëvendësministri i komisionit kombëtar të Shëndetësisë Zeng Yixin, e cilësoi këtë si një akt arrogance ndaj shkencës.
“Të jem i sinqertë, kur e pashë fillimisht planin e OBSH-së, për një hetim të dytë mbi origjinën e koronavirusit u befasova. Pasi në këtë plan, hipoteza se shkeljet e procedurave laboratorike të Kinës çuan në daljen e virusit nga laboratori, është një prej prioriteteve të hetimeve. Në këtë aspekt, mendoj se plani nuk është i arsyeshëm dhe sfidon shkencën”, deklaroi ai.
Kreu i OBSH-së Tedros Adhanom tha më herët gjatë muajit korrik se hetimet mbi origjinën e pandemisë në Kinë po pengoheshin nga mungesa e të dhënave në ditët e para të përhapjes së virusit.
Infektimet e para u evidentuan në qytetin e Wuhanit në dhjetor të 2019-s, virusi besohet të ketë kaluar te njerëzit nga kafshët që shiteshin në një treg të qytetit. Autoritetet dhe ekspertët kinezë i bënë thirrje OBSH-së të zgjeronin përpjekjet për zbulimin e origjinës edhe në vende të tjera.
Rruga Press