Rama duhet ta hapë ‘zarfin sekret’ për asociacionin
Shkruan Andi Bushati
Sulmi terrorist serb në afërsi të Zveçanit dhe qëndrimi i pandryshueshëm i Beogradit, për t’a përdorur komunitetin e serbëve të Veriut si mish për top, ka ngritur një pyetje që mund ta hedhë në erë marrëveshjen e arritur në bazë të planit Franko- Gjerman. A mundet që, në këto kushte, pala kosovare t’i hapë dritën jeshile themelimit të asociacionit, tani kur janë bërë tejet të forta dyshimet mbi qëllimin për të cilin mund të përdoret ai?
Këtë dilemë, që po e pohojnë me zë të fortë gjithnjë e më shumë specialistë të rajonit, e shtronte në një editorial të saj edhe gazeta serioze londoneze “The Guardian”. Aty theksohej se nuk është fare e çuditshme që, në kushtet kur Uashingtoni dhe Brukseli po përkëdhelin Vuçiçin, Albin Kurti të hezitojë t’i japë asociacionin serbëve me tendenca separatiste. Në editorialin e The Guardian përmblidheshin dilemat që këto ditë po i shtrojnë të gjithë. Po sikur një njeri si Radoiçiçi të vihej në krye të shoqatës të komunave serbe?
Po sikur policët, komunarët, të zgjedhurit t’i kthenin mjediset e tyre autonome të punës, ashtu siç tentuan të shndërrojnë, në depo armësh, manastirin e Banjskës?
Pra, çështja përmblidhet: ndonëse një vetëmenaxhim i zgjeruar i komunitetit serb është po aq i duhur, sa dhe i pashmangshëm, a gjendemi në momentin e përshtatshëm për t’a hedhur këtë hap, kur dyshohet se prej tij, rrezikon që mos përfitojnë qytetarët, por banditët e Listës Serbe?
Për fat të keq, harta e rrugës ku po duan ta çojnë marrëveshjen me 11 pika të Brukselit dhe atë të Ohrit ndërmjetësit e dialogut është pikërisht ky drejtim.
Një tjetër analizë e detajuar e The Guardian tregonte me imtësi atë që ndodhi në takimin Kurti-Vuçiç në 14 shtator në Bruksel. Dyshimet janë të forta se Lajçaku dhe Borelli kanë adoptuar linjën serbe, ndryshe nga premtimi i hershëm që asnjë palë të mos vërë kushtëzime, për të imponuar asociacionin në qendër dhe pastaj shohim e bëjmë për pikat e tjera, që presidenti serb nuk i nënshkruan dot me “dorë të vrarë”.
Nëse kjo qasje vërtetohet, aq më tepër tani pas aktit terrorist të 24 shtatorit, atëherë dialogut dhe marrëveshjes së arritur i janë vënë minat.
Por, që të kundërshtojë rrëshqitjen në skenarin që duan serbët, është detyrë e Albin Kurtit dhe e qeverisë së Kosovës. Ne, në Tiranë, na takon të merremi kryesisht me linjën zyrtare të politikës sonë të jashtme. Pikërisht, këtu, ekziston frika se Edi Rama është konformuar me versionin: asociacioni në qendër dhe pikat e tjera në kalendat greke.
Në momentin kur kryeministri ynë vendosi, t’i jepte një goditje pas shpine Kurtit, me anulimin e mbledhjes së dakordësuar mes dy qeverive, duke i shtuar peshën argumentit të Vuçiçit, se me Albinin është e pamundur të bisedohet, ai nuk bëri vetëm këtë mëkat. Po në të njëjtën ditë, në 8 qershor, fiks ashtu siç kërkon Beogradi dhe ata që ndjekin linjën e tij, ai e vuri theksin te krijimi urgjent i asociacionit. Madje Rama shkoi edhe më tej, ai shpalli se ka një draft të vetin, të hartuar nga specialistë të shkëlqyer ndërkombëtarë, për formën që duhet të ketë ky asociacion.
E këtu lindën dyshimet e para. Ç’qe ky draft i beftë për të cilin nga zyra e kryeministrit, nuk ishte shpallur kurrë më parë se ishte ngritur një grup pune? Ç’qenë këta ekspertë me renome, që kishin frikë të bëheshin publikë? Pse një kryetar qeverie, që thoshte se ka një plan të mrekullueshëm, insistonte se ai duhej mbajtur sekret?
Këto dyshime pillnin të tjera: a mos fshihej dikush tjetër pas planit të cilit i kishte vënë emrin kryeministri dhe a ishte i certifikuar ky dikush, si mbrojtës i interesit të Kosovës?
Ne ende, tre muaj më pas, nuk kemi marrë përgjigje për asnjë nga këto pyetje. Por ama, këto 100 ditë na kanë shërbyer që të jemi më të qartë së paku për dy gjëra, fillimisht se përse e kërkon Beogradi asociacionin të parin dhe pastaj për versionin më ekstrem për të cilin mund të përdoret themelimi i tij.
Ngjarjet pranë dhe brenda manastirit të Banjskës hodhën më tepër dritë në këtë drejtim. E në këto kushte të reja, për të mos mbajtur mbi vete akuzat se po vë interesat meskine personale mbi ato të Kosovës, kryeministri ynë është i dënuar të japë shpjegime. Ai duhet të shprehet së pari se ç’e detyroi, në fillim të qershorit, të këmbëngulte në kushtin e themelimit të shoqatës së komunave serbe. Së dyti ai duhet të hapë “zarfin sekret” të propozimit të tij. Lë ta shohin specialistët dhe publiku i gjerë se si e ka imagjinuar Edi Rama zgjidhjen e një ngërçi, që sipas tij do hapte rrugën e njohjes përfundimtare nga Serbia. Vetëm kështu dhe jo me hartime kundër ditëve të zisë, ai mund të vërtetojë se nuk donte të bënte dëm, kur shpalli se mban në sirtar një draft të fshehtë. Vetëm duke e parë të gjithë atë që kishte në mendje, ai mund të shpëtojë nga dyshimi se ishte një emisar i një loje të errët. Përndryshe, gjithkujt i lind e drejta të dyshojë se ai u vu në dispozicion, për të dhënë një goditje të keqe, në një moment të vështirë. /Lapsi.al/
Rruga Press