Lajme

Shkon në 8 numri i të arrestuarve në veri, konfiskohet arsenal armësh

Policia e Kosovës ka njoftuar se numri i të arrestuarve për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri ka shkuar në 8.

Ata kanë njoftuar se edhe dy personat të cilët janë arrestuar të hënën në mbrëmje dyshohet se kanë lidhje me sulmet ndaj policisë së Kosovës.

“Vlerësuar në aspektin e sigurisë, situata në veri të vendit është e qetë, por mbetet e tensionuar. Policia e Kosovës (PK), siç ka raportuar në konferencën e datës 25.09.2023, se operacioni policor është ende duke vazhduar dhe si rezultat i saj në një hotel ka arrestuar dy persona të dyshuar si dhe në zonën e fshatit Banjskë janë gjetur dhe janë konfiskuar disa mjete dhe arsenal armësh”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Pas arrestimit të dy sulmuesve terroristë me armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë, arrestimit të katër personave të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terrorist, si dhe arrestimit të dy personave të dyshuar, me datën 25.09.2023 numri i të arrestuarve deri më tani ka arritur në tetë (8)persona”, thuhet tutje në njoftim.

Lexo më shumë  Kryeministri australian pranon me krenari rrënjët arbëreshe: Kam lidhje me Shqipërinë

Në njoftim Policia ka treguar edhe për mjetet dhe armët që janë konfiskuar gjetur e konfiskuar në zonën e fshatit Banjskë.

“Mjetet e konfiskuara me 25.09.2023 përbëjnë një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager), të cilat kanë qenë të mbushura me sasi të madhe e që kryesisht përbëjnë: një armë e kalibrit të rëndë (lansues me nitro 30 mm), tri armë të kalibrit të rëndë (gulinov me tri tyta), dy armë të gjata (mitraloza), një snajper (black spear 12.7mm), një minahedhës (82 mm), njëzet e dy armë të gjata (AK 47), një automatik (RPZ), dy pushkë gjuetie, dy armë të shkurta (revole), një granatë dore, shtatëdhjetë e katër karikatorë për AK 47, nëntë jelekë antiplumb, një radiolidhje, tetë çanta ushtarake, gjashtë uniforma ushtarake”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë disa nga armët janë gjetur në Manastir, ku gjithashtu thuhet se është gjetur edhe një helmetë e Policisë së Kosovës, e cila thuhet se është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë reshteri policor Afrim Bunjaku.

Lexo më shumë  Murati për subvencionimin e tarifave të energjisë: Plotësoni numërin e saktë të pjestarëve të familjes

“Vlen të theksohet se dy armë të gjata AK 47 janë gjetur në manastir, si dhe një helmetë e PK-së e cila është marrë nga vendi i ngjarjes ku është vrarë rreshteri policor. Policia e Kosovës vazhdon aktivitetet e saja në interes të ruajtjes së rendit kushtetues, ofrimit të sigurisë ndaj vendit dhe qytetarëve pa dallim. Njëkohësisht njësitet policore në rrethanat e krijuara në zonën e fshatit Banjskë, po qëndrojnë afër qytetarëve, duke iu ofruar siguri dhe duke iu mundësuar e ofruar ndihmë sipas nevojave dhe kërkesave të banorëve”, thuhet në njoftim.

Të martën, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla publikoi një video të incizuar nga droni e në të cilën shihet Radojiçiqi në Banjskë, në mesin e grupit të armatosur e uniformuar.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë.

Rruga Press

YouTube player