Televizionet e Aleksandar Vuçiçit në mes të Kosovës
Shkruan Agim Morina
Dy televizone të Kosovës, që unë arrijta me i pa, paskan dhënë drejtpërdrejt dhe të plotë konferencën për shtyp të klerofashistit, Aleksandar Vučići, kryetar i Serbisë, me përkthim simultan në shqip. Dmth. Goebelsit të Kasapit të Miloševićit i mundësohet me hy në çdo shtëpi shqiptare e me përhapë propagandën e vet kriminale, me i përhapë rrenat e veta më të poshtra të mundshme antishqiptare!
A ka shërbim më të mirë që mundet m’iu bë makinerisë propagandistike të Serbisë klerofashiste dhe vetë Aleksandar Vučićit se kaq? Edhe atë në ditën kur populli i Kosovës mban zi për heroin e vet, policin e vrarë në detyrë, Afrim Bunjakun.
Kujt i intereson me shfaqë në tërësi dhe drejtpërdrejt në televizonet e Kosovës propagandën klerofashiste të Vučićit? Propagandën ku mohohet Kosova e pavarur, ku fyhet dhe akuzohet kryeministri Albin Kurti, ku poshtërohet policia e Kosovës, ku kritikohet KFOR-i, ku kërcënohen hapur shqiptarët, ku përhapet frikë dhe shfajësohen terroristët serbë, që ai vetë i ka dërgu në Kosovë.
A janë të shitur redaksitë e këtyre televizoneve? A janë të çmendur redaktorët dhe gazetarët? Apo janë duke bë tradhti ditën për diell?
A ka kush që i ndal këto shtëpi propagandistike djallëzore në mes të Kosovës? Apo po presin me u ngritë populli në këmbë e me ua shti flakën?
A nuk ishte BE-ja dhe gjithë Perëndimi që ndali kanalet televizive të Putinit, megjithëse lufta po bëhet në Ukrainë? A mundet me u marrë me mend që televizonet e Ukrainës të japin konferencat për shtyp të Putinit? A po mendojnë këta çmendurakë, të shitur apo tradhtarë me u paraqitë më demokratë se Perëndimi?
Nuk ka pasë, as nuk ka, as nuk ka me pasë kurrë demokraci me klerofashizmin.
Serbia klerofashiste është në luftë të hapur me shqiptarët! Ajo po dërgon aradhe kriminale e terroriste dhe po vret policë shqiptarë. Udhëheqësi i këtyre terroristëve është pikërisht njeriu konferencën e të cilit e japin televizonet e Kosovës drejpërdrejt dhe të plotë, si të ishte Vučići kryetar i Republikës së Kosovës, pa bë një përzgjedhje të kujdesshme dhe pa një analizë të domosdoshme kritike. Thjesht, këto televizone po mundësojnë që aradhet propagandistike, po kaq kriminale e terroriste sa ato të armatosura, të Serbisë klerofashiste të sulmojnë Kosovën pa asnjë problem.
Kjo duhet të ndalet!
Rruga Press