Petro Marko për Himarën: Shumë shokë më kanë pyetur ‘po ju, jeni shqiptarë apo grekë’?
Shumë shokë më kanë pyetur: Po ju, jeni shqiptarë apo grekë? Të jesh i çdo kombësie nuk është turp, por une para disa vjetësh, kur isha në fshat, dhe pasi kampistët (punëtorët që shkonin në kampin e Dhërmiut për të pushuar) me pyetën nëse ishim shqipëtarë apo grekë, u përgjigja me siguri : “Ne jemi shqiptarë!” Më pyetën pastaj pse flisnim greqisht. Me sa munda, u thashë arsyet. Të nesërmen provokova një mbledhje të gjerë në fshat. U mbush oborri i shkollës me burra e gra. Me një anë ishin nxënësit dhe gjithë të rinjtë, se e kishin marrë vesh që unë do të flisja rreth temës : “jemi shqiptarë apo grekë? Bisedën e nisa pak a shumë kështu :– Duhet ta dimë mirë se ç’jemi, ç’kombësi kemi, se dëgjohen poshtë e lart fjalë se këta janë grekë, këta nuk dinë se ç’janë! Pra fillojmë : Ti, shoku Pavllo Beja, nga e ke origjinën?….
– Familja jonë, si gjithë Gjileku, jemi krutanë. Erdhëm këtu pas vdekjes së Skënderbeut.
– Po ti, Vangjel Liza, si e di origjinën e familjes sate ?
– Në vijmë nga Tërbaci. Këtu erdhën tre vëllezër nga Tërbaçi. Dhe nga të tre vëllezërit u shtuan lagjet Lizaj, Cacedhimitret dhe Trekot.
– Po ju o Kostë nga vini ?
– Ne vijmë nga Velca! Jemi Tavajt, – dhe qeshi. – Ju e keni dëgjuar atë breg-shkëmb atje lart, që quhet Trapeza ose Kont-Tava. Rrjedhim nga Kontet,si ju nga Buajt. Aty tek Trapeza paguanin venecianët, prandaj quhet dhe sot e kësaj dite Kont-Tava ose Trapeza…
Kështu me rradhë të gjitha familjet thanë se nga rridhnin. Na doli se vetëm një ishte i huaj : Josif Averbahu, me origjinë çifute, nga Austria. Kjo është një histori e çuditshme : Një konsull i Austro- Hungarisë, që ishte në Vlorë, dashuroi një fshataren tonë që mblidhte myshqe në Llogara me shoqet e saj. Ky konsull shkonte në Llogara për gjah. E pa këtë vashëz dhe u çmend pas saj. Erdhi në Dhërmi dhe e kërkoi për grua. I thanë të ndërronte fenë. U bë ortodoks dhe banor i fshatit….
Pra ç’jemi ne ? Shqiptar! Po pse e humbëm gjuhën?
Unë do të them ato që di : Pse nënat plaka, gjyshet dhe gjyshët dinë më mirë shqipen se greqishten? Pse qajmë e këndojmë në shqip ? Pse fjalët e urta i themi në shqip? Siç duket që nga viti 1820 e tehu, greqizimi u bë me qëllim politik nga vetë Greqia, që fitoi lirinë me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptare, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë, as Shqipërinë, se cilës i kishte humbur edhe emri. Suli dhe Himara ishin kurdoherë në luftë me turkun. Erdhi koha që Himara u nda : Himara bregdetare mbeti e lirë dhe e krishterë, kurse Himara e mbrendshme , Labëria, Kurveleshi, Lumi i Vlorës e Dukati u myslimanizuan dhe u ndanë. Megjithëse u ndanë në dy fe nuk e humbën kurrë lidhjet e gjakut dhe të fisit. Çdo fshatar kishte të tijtë në një fshat të myslimanizuar që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Kur bëheshin operacione ndëshkimore nga turqit, bregasit nuk shkonin përtej maleve, në Mesaplik e në Kurvelesh, për t’u mbrojtur, sic bënin gjer në atë kohë, por iknin me varka për në Korfuz ose për në Gjirit, nën mbrojtjen e venecianëve. Aty shkonin pleq e plaka dhe fëmijët. Burrat luftonin. Aty rrinin shumë vjet, gjersa mbaronin operacionet ndëshkimore. Thonë se banorët e Dhërmiut shkonin në ishullin grek, kurse ata të Himarës në Gjirit. Prandaj dhe, kur flasin greqisht, dhërmijasit flasin si korfjanët, kurse himarjotët, si gjiritlinjtë. Pastaj shkollat ishin greke. Mesha këndohej greqisht. tregtinë e bënin me Korfuzin, Janinën. Pak nga pak u shkëputën lidhjet me Labërinë, me Dukatin. Greqia, që u çlirua e para, thoshte se kudo ku janë ortodoksë, janë greke ;myslimanët janë turq. Nisi antagonizmi turq e kaurrë! Propoganda bënte punën e saj. Kjo u thellua në kohën e Ali pashë Tepelenës, i cili dërgoi një delegacion në Himarë, që dhe Himara të myslimanizohej. Paria e Himarës delegacionin e priti në Qeparo, se kishte më shumë kapedanë. Delegatet e Ali pashë Tepelenës u thanë mendimin dhe qëllimin e vizitës. Më plaku i kuvendit himarjot u tha delegatëve :– E falenderojmë pashanë, që mendon për të mirën tonë. Po i thoni pashait se këtu poshtë, në fshat, kemi një fushë që s’ka ujë. Thahet në vere dhe nuk na jep asgjë. I jemi lutur Krishtit dhe Shën Merisë, Shën Kozmait dhe Shën Spiridhoit, po s’na dhanë ujë. Në na dhëntë Muhameti ujë, menjeherë bëhemi myslimanë. Kështu i thoni pashait. Kur vajtën e ia thanë pashait përgjigjen e bregasve, ai qeshi me zemërim dhe tha : – Eh kaurët e dreqit, do të ma paguajnë ! – Pastaj, duke qeshur shtoi – Pizevengët, janë të zgjuar, s’ke ç’thua, janë rrufjanë të mëdhenj ! Pak nga pak propoganda greke bëhej më e madhe, duke pretenduar se Himara ishte krahina heroike e Greqisë. Shumë kapedanë, sidomos paria, kishin privilegje.
Dhe paratë e mirëbërësve himarjotë, që i kishin lënë në bankat greke për shkollat e Himarës, ishin një shkak shumë serioz për propogandën greke. Gjikë Bixhili nga Dhërmiu kishte fituar shumë para në Rusi, ku e kishte marrë Pano Bixhili, përfaqësues i himarjotëve pranë Carit, në Petërburg. Mësuesit dhe shpenzimet për shkollën merreshin nga fondi i Gjik Bixhilit. Gjikëe Bixhili ndërtoi dhe një shkollë, që është sot e kësaj dite. Ne kur ishim të vegjël, në shkollën e fshatit shihnim portretin e tij, të varur në klasë. Siç i la Gjikë Bixhili paratë në bankën greke, ashtu i lanë dhe shumë mirëbërës të tjerë nga Jugu, si Zhapa me shokë. Ishin miliona, të cilat u bënë burim për të ushqyer propogandën greke në vendin tonë, sa u krijua miti i Vorio Epirit dhe sillogu vorioepiriot, që merrej me çlirimin e Vorio Epirit, domethënë të Shqipërisë së Jugut. Paratë u vunë në dispozicion të parisë, e cila merrte një mijë dhe shpenzonte një…Paria merrte parà nga banka greke, e cila qe e autorizuar nga qeveritë reaksionare nacionaliste të Megali Idhesë ( Megali Idheja: që Greqia të bëhej e madhe duke përfshirë në kufijtë e saj jugun e Shqipërisë dhe vendet ballkanike ku jan ortodokse). Himarjotët që emigronin në Greqi, kishin privilegje: përkraheshin si bij të nëj “krahine heroike greke” me histori trimërie e burrërie. Fatkeqësia ishte se Shqipëria u çlirua e fundit në ballkan. Himara kishte ushqyer shpirtin e aneksartisë, autonomisë, si Suli, i cili pak nga pak u greqizua. Dhe, pasi u çlirua Shqipëria, me kufijtë të cunguar shumë, propoganda greke e ushqeu shumë idenë e autonomisë së Himarës: as shqiptare, as greke! Kishte hedhur rrënjë të thellë kjo propogandë në shpirtin e himarjotëve, të cilët sytë i mbanin nga Greqia. Krerët himarjotë, si Spiro Miloja, një luftëtar që e ndihmoi shum Greqinë, ishte në krye të kësaj propogande, me gjithë farefisin dhe sojin e tij të shpërndarë në Dhermi, Vuno e gjetkë. Spiro Miloja ishte nga Progonati. Në fshatin tonë ai kishte farefis LLuke Zh. e të tjerë, që propogandonin ndarjen e Himarës nga Shqipëria. Si bazë kryesore të propogandës përdornin dhe këtë: -Pse labëria u bë turke ? E pse të mos bëhemi edhe ne me Greqinë, që është armike e betuar e Turqisë, siç jemi dhe ne armiq të betuar të turkut. Shumë fanatikë ishin fshatarët e mi ! Njëzet e gjashtë kisha kishte. Mbaj mend unë se kishte tetë priftërinj. Lidhjet ekonomike, privilegjet në Greqi, interesimi i greqisë për himariotët, sillogu vorioepiriot ndikuan shumë për t’i bërë himarjotët t’i kthenin sytë nga Greqia dhe të ëndërronin për një autonomi. Pastaj, edhe në kohën e pavarësisë himarjotët panë se asnjë qeveri e Tiranës nuk u kujdesua asnjëherë për ta. Nuk shkonin as xhandarë dhe nuk merreshin në asnjë punë. Ata pëlqyen të mërgonin: hern e parë Llavrion, ku kishte miniera; në Korint, për të hapur kanalin; në Vllahi, në Rusi, pastaj në Amerikë, në Francë, në Meksikë, në Argjentinë, në Australi, Kanada e gjetkë. Kështu ne dinim më mirë ku binte Buenos Ajresi sesa Kukësi, që nuk ia kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Australia dhe jo Kosova, që nuk ja kishim dëgjuar kurrë emrin. Dinim ku binte Athina dhe Korfusi ose Tirana e Shkodra. Ishim pa asnjë lidhje me atdheun tonë. Disa përçares, vetë regjimi i Zogut, sidomos Musa Juka, na përçau. U ndamë në fshat në dy parti: pendëkuqet që deshen Shqipërinë dhe shkollat shqipe ; dhe pendëbardhët, që deshën Greqinë e shkollat greke në fshat. Këtë përçarje e ushqeu shumë Musa Juka, duke na armiqësuar vëlla me vëlla. Familja jonë bënte pjesë në partinë e pendekuqëve dhe mbanim ne ballkon kurdoherë flamurin e Shqipërisë. Kapedanët e Spiro Milos na kishin ardhur disa herë në shtëpi, duke na thënë se Andrea Markoja ishte vrarë për Greqinë, Marko Jani ishte internuar nga italianët për Greqinë e të tjera. Deshën që ne të linim shtëpinë e të shkonim ne Korfuz, ku do të na mbante me shkolla e me pensione Athina. Qoftë im vëlla, Fotoja, qoftë kushuriri im Jani, i sikterisnin duke u thënë: “Andrea Markoja u vra për Himarën dhe Marko Jani vdiq i veremosur nga internimet dhe vuajtjet e shumta për Himarën dhe jo për Greqinë. Himara sot është dhe mbetet shqiptare. Prandaj mbajmë dhe flamurin ditë e nate në ballkon. Ne e dimë gjakun tonë se nga buron”.