Shqipëria “pa drejtues”, Begaj, Rama dhe Nikolla shkelin protokollin, të tre jashtë vendit njëkohësisht
Krerët më të lartë të Shtetit shkelin protokollin. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Kryeministri i Shqipëri, Edi Rama dhe Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i vunë çelësin zyrës duke udhëtuar jashtë Shqipërisë dhe njëkohësisht duke e lënë vendin pa drejtues.
Protokolli Shtetëror e specifikon qartësisht se tre titullarët e tre institucioneve kryesore nuk duhet të largohen nga Shqipëria në të njëjtën kohë. Rregullat protokollare sanksionojnë se Presidenca, Kuvendi dhe Kryeministria duhet të koordinohen në mënyrë që të paktën njëri nga titullarët e institucionit të qëndrojë në Shqipëri.
“Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të tri personaliteteve kryesore jashtë shtetit. Vizitat koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit në të njëjtën kohë”, protokolli i shtetit.
Bajram Begaj dhe Edi Rama morën rrugën për në Amerikë ku do të jenë pjesë e takimeve në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një aktivitet i cili në publik është njoftuar më shumë se dy muaj më parë. Ndërsa Kryetarja e Kuvendi, Lindita Nikolla ka udhëtuar drejtë Gjermanisë ku po takohet me homologen e landit të Bremenit, Antje Grotheer.
Jo rrallëherë në të shkuarën është raportuar e njëjta ngjarje, por mesa duket tundimi për vizita jashtë vendit duket më i madh se sa respektimi i protokollit shtetëror. Kjo pasi shkelja është bërë diçka rutinore ndër vite, edhe pse drejtuesit e institucioneve kanë ndryshuar.
Rruga Press