Bota

Dolli mes raketave hapësinore, Kim armatos Putinin: Fitoni luftën e shenjtë ndaj imperializmit

Dorështrëngim i gjatë dhe buzëqeshje. Këtë pritje të ngrohtë i rezervoi presidenti rus, Vladimir Putin, mikut të tij komunist, diktatorit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në kozmodromin Vostoçni. Shefi i Kremlinit më pas u shndërrua në një guidë duke i prezantuar liderit mik raketat hapësinore dhe bazën e lëshimit të tyre. Diktatori la një shënim në librin e të ftuarve, pasi shoi kureshtjen për madhësinë e raketave.

Putin dhe Kim Jong Un u larguan me një automjet të blinduar nga kozmodromi për të shkuar në vendin e takimit zyrtar, ku biseduan çështjet serioze: furnizimet me armë për Moskën dhe ndihmat ushqimore për Penianin.

“Ne duhet të diskutojmë çështje të bashkëpunimit ekonomik dhe ato humanitare. Por gjithashtu do të flasim dhe për zhvillimet në rajon. Jam i lumtur që ju kam këtu”, tha Putin.

“Rusia tani është në luftën e shenjtë kundër forcave hegjemoniste për të mbrojtur sovranitetin dhe interesat e saj të sigurisë. Ne vazhdimisht kemi shprehur mbështetjen tonë të plotë dhe të pakushtëzuar për të gjitha vendimet e marra nga presidenti dhe udhëheqja ruse dhe dua t’ju siguroj se ne do të jemi gjithmonë bashkë me Rusinë në luftën kundër imperializmit”, tha Kim Jong Un.

Lexo më shumë  NATO kërkon rritjen e prodhimit të armëve në Ukrainë

Presidenti rus nuk e përcolli diktatorin e koresë komuniste me stomakun bosh. Putin shtroi një banket për delegacionin e kryesuar nga Kim Jong Un, ku nuk munguan dhe dollitë me nderime komuniste.

“Dëshiroj të ngre dolli për forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit midis vendeve tona, Federatës Ruse dhe Republikës Popullore Demokratike të Koresë, për mirëqenien dhe suksesin e popullit tonë… për shëndet të mirë të shokut sekretar dhe të gjithë atyre që janë këtu”, tha Putin.

“Bashkë me shokun Putin, ne zhvilluam një diskutim për zgjidhjet ushtarake dhe politike të situatës në gadishullin Korean dhe në Europë. Ushtria dhe populli i Rusisë me siguri që do të marrë një fitore të madhe në betejën e shenjtë për ndëshkimin e të keqes së madhe që pretendon hegjemoni dhe ushqen iluzione ekspansioniste. Për ta përmbyllur, dëshiroj të ngre një dolli për shëndetin e mirë të presidentit të dashur të Rusisë, Vladimir Vladimiroviç Putin, për fitore të reja të Rusisë së Madhe dhe miqësisë së pafundme Ruso-Koreane”, tha Putin.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Pas përfundimit të drekës, diktatori Kim Jong Un bashkë me delegacionin e tij është nisur sërish me trenin e blinduar për t’u kthyer në Korenë e Veriut. Raportohet nga mediat ndërkombëtare se ai ofroi raketa dhe armë të tjera për Rusinë që të vazhdojë luftën në Ukrainë, duke marrë në këmbim teknologji për lëshimin e satelitëve dhe ndihma ushqimore.

Rruga Press

YouTube player