Unioni Afrikan bëhet anëtar i përhershëm i G20-s
Unioni Afrikan është bërë anëtar i përhershëm i Grupit 20 (G20), i cili përbëhet nga vendet më të pasura dhe më të fuqishme në botë, ka thënë të shtunën kryeministri indian Narendra Modi në samitin e këtij blloku në New Delhi.
Unioni Afrikan është një organ kontinental që ka 55 shtete anëtare, dhe tani ka të njëjtin status si Bashkimi Evropian, i cili deri më tani ishte i vetmi bllok rajonal me anëtarësim të plotë. Statusi i mëparshëm i Unionit Afrikan ishte “organizata ndërkombëtare e ftuar”.
Në fjalimin e tij të hapjes në samit, Modi i bëri thirrje Unionit Afrikan, përfaqësuar nga Azali Asumani, të zërë një vend në tryezën e liderëve të G20-s si anëtar i përhershëm.
“Jam i nderuar të mirëpres Unionin Afrikan si një anëtar të përhershëm të familjes G20. Kjo do të forcojë G20 dhe gjithashtu do të forcojë zërin global”, thuhet në një mesazh në llogarinë zyrtare të Modit në median sociale X.
Modi propozoi këtë lëvizje në qershor. U mbështet nga të gjitha shtetet anëtare.
Rruga Press