Xhaka për ndeshjen me Kosovën: Do të jetë me shumë emocione, nuk krahasohet me asnjë tjetër
Kosova pret të shtunën Zvicrën në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024, teksa në konferencë për shtyp u paraqit përzgjedhësi Murat Yakin dhe kapiteni Granit Xhaka.
Lojtari me origjinë shqiptare, Granit Xhaka e pranoi se për të është një sfidë speciale dhe me shumë emocione, ndërsa shtoi se ndjehet si në shtëpi.
Ke luajtur kundër Shqipërisë, Serbisë dhe tani Kosova, cilat janë emocionet? “Është një ndeshje e veçantë për mua dhe familjen. Nuk krahasohen sepse është ndryshe, jam i kënaqur që jam këtu dhe pres nesër një ndeshje me shumë emocione”.
Marrëdhëniet me Zvicrën dhe Kosovën janë pak ndryshe, a ke bërë ndonjë përgatitje ndryshe nga ndeshjet e tjera? “Ne e njohim mirë Kosovën dhe lojtarët e saj. Trajneri na ka përgatitur njësoj, jemi përgatitur shumë mirë dhe tani duhet të tregojmë veten në fushë”.
Nga Kosova vazhdojnë të largohen lojtarë, më të fundit Daku dhe Muja… Kemi lojtarë që janë pjesë e Gjermanisë apo Zvicrës, cila është këshilla juaj për Federatën që të mos largohen më lojtarë? “Është pyetje e vështirë, është pozitive sepse kemi tre apo katër kombëtare. Kemi lojtarë që luajnë për kombëtare të mëdha, por gjithsecili duhet ta vendosë vetë se ku shkon. Është e vështirë ta them unë përgjigjen”.
Nesër luan ndeshjen e 150 me Zvicrën, a e ke pasur më parë familjarët prezent në konferencë si sot? “Nuk ka ndodhur kurrë, por këtu ndjehem si në shtëpi. Respektin dua t’iu kthej ju, ndjehem krenar që jam këtu. Nesër edhe pse jam me tjetër fanellë do t’iu bëj edhe juve të lumtur”.
Trajneri tha kemi ardhur për fitore, por ti je dakord për barazim apo jo? “Nuk dua të përgjigjem”, tha Xhaka duke qeshur.
Rruga Press