Qeveria Rama i ndërron ministrat si çorapet. Historiku i ndryshimeve prej vitit 2013
Me vendimin e parë për shkarkimin e Ylli Manjanit nga posti i ministrit të Drejtësisë dhe emërimin në këtë detyrë të Petrit Vasilit (të dy nga rradhët e LSI-së) kabineti qeveritar regjistron ndryshimin e tij të gjashtë nga shtatori 2013 kur Edi Rama u mandatua zyrtarisht në postin e kryeministrit. Sjellim shkurtimisht të gjitha lëvizjet e ministrave në qeverinë “Rama”, të argumentuara herë me dorëheqje të befta dhe herë me shkarkime të pritura.
Në 1 gusht 2014
Pas 300 ditë qeverisje, ndodhi dhe ndryshimi i parë në kabinetin qeveritar të kryeministrit Edi Rama. Në një konferencë shtypi Rama ka njoftuar dorëheqjen e dhënë nga Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirjan Celibashi dhe zëvendësimin e tij me deputeten e PS-së, Ermonela Felaj. Kryeministri Rama, theksoi se ky vendim i Celibashit ishte tërësisht personal.
Në 21 Maj 2015
Kryeministri Edi Rama emëron Blendi Klosin si ministër të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Rama bëri të ditur se “Blendi Klosi do të jetë ministri ynë i ri i Mirëqenies Sociale për të çuar më tej reformat rrënjësore të nisura nga Erion Veliaj”. Blendi Klosi zëvendësoi në këtë post Erion Veliaj, i cili kandidoi në atë kohë për kreun e bashkisë së Tiranës.
Në 9 Nëntor 2015
Ylli Manjani u zyrtarizua pasditen e 9 Nëntorit 2015 në detyrën e ministrit të Drejtësisë. Kryeministri Rama zyrtarizoi kandidaturën e tij në këtë post, pas dorëheqjes së dhënë në mesditë nga Nasip Naço, i cili ushtronte këtë detyrë prej dy vitesh. Nëpërmjet një letre publike drejtuar kryeministrit, Naço bënte ndër të tjera me dije se “jap dorëheqjen time si Ministër i Drejtësisë duke shpresuar qe ky akt të ndihmoje në krijim në krijimin e klimës së bashkëpunimit të kërkuar për reformimin e sistemit të drejtësisë”.
Në 16 shkurt 2016
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani shkarkohet nga detyra me vendim të shefit të ekzekutivit, Edi Rama. Kryeministria bëri me dije se në krye të Ministrisë së Financave do të emërohej Arben Ahmetaj. Ndërkohë që në vend të Ahmetajt, tek Ministria e Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes u emërua Milva Ekonomi, deri atëhere zv/ministre e Shëndetësisë.
Në 2 shtator 2016
Jep dorëheqjen ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto. Largimi nga kjo detyrë u bë me argumentin “për shkak të angazhimit në parti”. Nga LSI-ja u propozua si zëvendësues i tij: Sokol Dervishaj, deri atë kohë shef kabineti pranë Kuvendit të Shqipërisë. Nga kryeministria u bë e ditur se “Kryeministri e ka falenderuar ministrin e Infrastrukturës e Transporteve për punën e bërë në krye të dikasterit dhe kontributin e tij aktiv në skuadrën qeveritare dhe bashkëpunimin shumë të mirë më të”
Në 30 Janar 2017
Kryeministri, Edi Rama firmos shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, pa dhënë motivacionet e këtij vendimi. Në vend të tij propozohet, Petrit Vasili. Në konferencën e zhvilluar, fill pas publikimit të lajmit, Manjani foli për përplasjet që kishte pasur me kryeministrin dhe akuzoi rëndë disa ministra të kabinetit të tij për afera korruptive dhe se kanë përdorur hotelin e Klement Balilit për të fjetur me dashnoret.
Ndryshimet më të bujshme në qeveri u shënuan në vitin 2018. Nëpërmjet asamblesë kombëtare të PS, kreu i ekzekutivit njoftoi riformatimin e thellë të kabinetit qeveritar, duke zëvëndësuar edhe ministra që qëndronin prej 5 vitesh në detyrë. E veçanta e këtyre ndryshimeve ishte futja në qeveri e figurave pa kontribut në politikë.
Protesta e studentëve i dha një shtysë të fortë largimit të Lindita Nikollës nga posti i Ministrisë së Arsimit, duke ia dhënë këtë post një figure të panjohur në politikën shqiptare, Besa Shahinit e cila vinte nga Kosova.
Një tjetër figurë të panjohur në arenën politike dhe po ashtu që vinte nga Kosova, Rama e solli në krye të Ministrisë së Jashtme. Gent Cakaj, zëvëndësoi Ditmir Bushatin, i cili në atë periudhë kishte një marrëdhënie të krisur me Kryeministrin Rama. Largimi nga qeveria i Ditmir Bushatit, u pasua edhe me largimin nga partia.
Ministria e Financave iu besua Anila Denajt. Belinda Balluku mori postin e ministres në Ministrinë e Infrastrukturës. Blendi Çuçi u emërua në krye të Ministrisë së Bujqësisë, Elva Margariti në Ministrinë e Kulturës, Eduart Shalsi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Sipërmarrjes. Në vitn 2018, Edi Rama ktheu Ministrinë për marrëdhëniet me Parlamentin. Ndërsa për postin e zv/kryeministrit, zëvendësoi Senida Mesin me Erion Braçen.
Ndonëse u emëruan me bujë, ministrat e shumë vlerësuar nga Kosova nuk spikatën në qeverinë Rama, duke mos përfunduar as mandatin në krye të ministrive. E para që u dorëzua ishte Besa Shahini e cila u largua nga detyra, dy vite pasi qëndroi në krye të Ministrisë së Arsimit. Në vend të saj u emërua Evis Kushi.
Ndërsa Gent Cakaj, i cilësuar nga Kryeministri Rama si njeriu më i ditur, nuk shkëlqeu me performancën e tij, Ai dha dorëheqjen duke i hapur rrugë Olta Xhaçkës në krye të këtij posti. Ndërkohë në vend të Xhaçkës, në Ministrinë e Mbrojtjes u emërua Niko Peleshi.
Në 2021, Rama bën një tjetër riformatim në qeveri, duke shtuar ministritë e shtetit. Elisa Spiropali për Marrëdhëniet me Parlamentin, Edona Bilali për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Bora Muzhaqi për Rininë dhe Fëmijët, Milva Ekonomi për Standardet dhe Shërbimet.
Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj, mori postin e zëvendëskryeministrit, duke pasuar Erion Braçen, i cili e kishte bërë të qartë vetë se nuk do të ishte më pjesë e ekzekutivit të ri. Ndryshime pati në krye të Financave dhe Ekonomisë, ku Anila Denaj, zëvendësohet nga Delina Ibrahimaj, ish-drejtoresha e Tatimeve. Në Ministrinë e Drejtësisë ikën Etilda Gjonaj. Në vend të saj, Ulsi Manja, i cili vitet e fundit kishte drejtuar Komisionin parlamentar të Ligjeve. Edhe në krye të Bujqësisë erdhi një emër i ri, Frida Krifca, e cila pasoi Milva Ekonomin. Kjo e fundit mori një ministri pa portofol, atë për Standartet dhe Shërbimet.
Një vit më parë, Edi Rama i kishte dhënë goditjen një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, Arben Ahmetajt, i cili ishte vënë në shënjestër të akuzave të opozitës për çështjen e inceneratorëve. Në Korrik të vitit 2022, Ahmetaj, u shkarkua nga posti i zv/Kryeministrit.
Në 3 mandate qeverisjeje, ajo çfarë bie në sy është se thuajse asnjë ministër nuk ka arritur të plotësojë një mandat të plotë. Dikasteri që ka ngrënë më shumë koka ministrash është ai i Brendshëm. Që nga vitit 2013, kjo ministri ka pësuar 6 ndryshime. Thuajse të gjitha largimet kanë qenë për shkak të skandaleve ku janë përfshirë drejtuesit e kësaj ministrie. Ndryshimi i fundit është bërë 1 muaj më parë, ku këtë post, Edi Rama ia besoi Taulant Ballës, pasi shkarkoi Bledi Çuçin.
Gjithsesi, suspanca e ndryshimeve të radhës vijon. Në asamblenë e 4 Shtatorit, Edi Rama kishte dhënë shenja për ndryshimet në qeveri. Ndonëse janë të shumtë emrat që përfliten, ekskluzivitetin e mban sërish për vete. E vetmja lëvizje e sigurt, është riformatimi i Sekretariatit të Partisë. Pas shkarkimit që u bëri në Asamblenë e një muajit më parë, Edi Rama tregoi shkarkimet e reja dhe emrat e rinj zëvendësues.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka shkarkuar gjashtë ministra dhe i ka propozuar zëvendësuesit e tyre, në një ndryshim rrënjësor të kabinetit qeveritar shqiptar, në pritje të dekretimit nga presidenti Bajram Begaj.
Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë së tij Socialiste më 4 shtator, Rama bëri të ditur edhe për krijimin e një ministrie të re. Ai do t’ia paraqesë për dekretim këto ndryshime presidentit Bajram Begajt.
Gjatë një fjalimi Rama theksoi se “nuk u ka borxh asnjë prej zyrtarëve socialistë që futen në telashe me drejtësinë”, dhe se asnjë prej tyre nuk duhet të fshihet pas flamurit të partisë që ai drejton.
Rama e shkarkoi ministren e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçkën, dhe propozoi emërimin e Igli Hasanit në vend të saj, ish-ambasadorit të Shqipërisë në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Vjenë.
Largimi i Xhaçkës vjen në kohën kur Shqipëria sapo ka marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) për herë të dytë.
Gjithashtu, u shkarkua nga detyra ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca. Ajo do të zëvendësohet nga Anila Denaj, e cila më herët ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar si ministre e Ekonomisë dhe Financave.
Delina Ibrahimaj nuk do të jetë më ministre e Financave dhe Ekonomisë, pasi u emërua ministre e Shtetit për Sipërmarrjen, duke zënë vendin e Edona Bilalit, që u shkarkua nga ky post.
Në krye të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të vijë Ervin Mete, i cili ka qenë më herët zëvendësministër i Financave, dhe aktualisht drejtues i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor u shkarkua nga detyra Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, për t’u zëvendësuar me Ogerta Manastirliun.
Ndërkaq, vendin e lënë bosh prej saj në krye të Ministrisë së Shëndetësisë e zë Albana Koçiu, aktualisht drejtoreshë e Departamentit të Administratës Publike.
Rama vendosi ta shkrijë Ministrinë e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, që drejtohej nga Milva Ekonomi, në një ministri të re; Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Pushtetin Vendor, që do të drejtohet nga Arbjan Mazniku, aktualisht Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.
Kryeministri tha se “kryebeteja e PS” është Shqipëria evropiane.
Më 8 korrik të këtij viti, Rama shkarkoi nga detyra Ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe emëroi në vend të tij Taulant Ballën. Këto ndryshime ishin paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama edhe gjatë një mbledhje joformale të qeverisë gjatë muajit gusht.
Ai pati deklaruar se do të ketë një vetëreformim të Partisë Socialiste dhe të qeverisë së drejtuar prej tij.
“Do të ketë një riorganizim dhe rikonceptim. Sesionin e ri ta nisim me një puls të ri, por edhe me një rritje të konsiderueshme të kapaciteteve qeverisëse, duke theksuar rolin e zëvendësministrave, duke i përfshirë në vendimmarrje e edhe drejtues të agjencive të rëndësishme. Vetëreformimi është një riorganizm i procesit qeverisës në funksion të rritjes së efiçencës dhe kapaciteteve për të arritur rezultate të shpejta”, kishte thënë Rama më 29 korrik.
Asambleja e Partisë Socialiste bëri ndryshime në të gjithë sekretariatin dhe ndryshimet pritet të miratohen në Kongresin e kësaj partie, që pritet të mbahet në fillim të muajit tetor.
Mbas gjithë këtyre ndryshimeve ajo çfarë bie në sy është fakti që askush prej ministrave apo ish-ministrave nuk “ngre krye” ndaj zhvendosjeve që Kryeministri Edi Rama bën. Shumë prej tyre tashmë duhet të përgjigjen para ligjit ose lihen të harruar sikur të mos kenë ekzistuar. Kjo sagë zëvendësimesh shpesh herë sillet nga Rama si akt i lartë dhe i drejtë, ku me të do të tregojë që nuk lejohen lojrat e pista brenda shtetit. Në fund të ditës me pompozitetin agresiv për të cilin dhe njihet, Kryeministri Rama i plotëson “tekat” e veta dhe të humbur dalin ata që punojnë me të. Duket sikur vetë këta drejtues ministrish nuk kanë konsideratë për veten, që rrjedhimisht të ketë kryeministri, i cili i ndërron dhe i plas si çorape të përdorura dhe të papastra.
Mendohet që njeriu ka më shumë rezistencë se copa përbërëse e çorapeve, dhe zakonisht shkon duke u përmirësuar jo duke u shprishur, si çorapet me ngjyra të Ramës, por kjo është në dorë të konsideratës që kabineti qeveritar i kryeministrit ka për vetveten.
© Rruga Press