Lajme

Aksidentet u rriten me 32.9% në 6-mujorin e parë, shkak sjellja e shoferëve

Instituti i Statistikave raportoi se aksidentet në 6 muajt e parë të vitit pësuan një rritje me 32.9 për qind në raport me 6 mujorin e njëjtë të një viti më parë.

INSTAT ka shpjeguar se rritja shpjegohet edhe me masat kufizuese të një viti më parë të cilat mund të kenë ndikuar në reflektimin e një shifre më të lartë në këtë vit kur nuk ka pasur masa kufizuese dhe karantinë.

“Në muajin Qershor 2021 numërohen 124 aksidente rrugore nga 115 aksidente të ndodhura në muajin Qershor 2020, duke u rritur me 7,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për shkak të masave kufizuese në qarkullim në Qershor 2020, krahasimi i numrit të aksidenteve paraqitet me një rritje më të lartë gjatë këtij muaji. Për rrjedhojë edhe krahasimi gjashtëmujor paraqitet me një rritje prej 32,9 %, ku numërohen 671 aksidente rrugore nga 505 aksidente të ndodhura në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.

Lexo më shumë  Nis protesta e opozitës në Shqipëri, qytetarët bllokojnë rrugët e Tiranës

Në muajin Qershor 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 161 persona nga 143 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, numri i të aksidentuarve është 875 persona nga 656 persona në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020.

Në muajin Qershor 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 15 persona nga 16 persona të vdekur në Qershor 2020. Në gjashtëmujorin e parë të 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 105 persona nga 74 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë” vlerëson INSTAT.

Nga ana tjetër i njëjti raport nënvizon se shkak në shumicën e rasteve për aksidentet janë bërë sjellët e drejtuesve të mjeteve dhe grupi me më shumë aksidente është ai i 25-34 vjeç.

“Në muajin Qershor 2021, aksidentet rrugore, në 86,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 29,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 14,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, aksidentet rrugore, në 17,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit.

Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 45,7 %, krahasuar me një vit më parë” thuhet në publikim.

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *