Organizata terroriste serbe “Severna Brigada” kërcënon me vdekje ministrin Sveçla
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është kërcënuar nga organizata terroriste serbe “Severna Brigada”.
Kërcënimi ndaj ministrit Sveçla ka ardhur pas njoftimit për zbulimin e një sasie të madhe të armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore e eksploziv në Zveçan.
Organizta terroriste “Severna Brigada” e kanë kërcënuar hapur Sveçlën duke i shkruar publikisht në Facebook se “Unë personalisht do të të dënoj (likuidoj), vetëm momenti pritet”.
Lidhur me këtë rast MPB ka deklaruar se me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë.
“Komenti siç e keni parë është bërë në faqen publike të Ministrit Sveçla dhe në kuptim të përmbajtjes së mesazhit, rasti tash po trajtohet nga organet e sigurisë”, ka thënë zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi.
Ndryshe, Sveçla sot ka thënë se Policia e Kosovës të martën ka zbuluar një sasi të madhe të armatimit në një shtëpi në Zveçan, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv.
Ai ka bërë të ditur se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.
Rruga Press