Deutsche Welle: Qeveria Rama u riformatua pas goditjeve nga SPAK! PS-së po i plasin skandale korrupsioni njëri pas tjetrit
Riformatimi i qeverisë së Tiranës nuk është i papritur. Kryeministri Rama e kishte paralajmëruar atë pak javë më parë, kur shkarkoi të gjithë kupolën drejtuese të PS, kryetar i së cilës ai është që nga viti 2005.
Ndryshimet në qeverinë shqiptare vijnë kur në këto 2 vite të para të mandatit të tretë qeverisës, PS po i plasin skandale korrupsioni njëri pas tjetrit. Struktura e Posaҫme Anti-Korrupsion, (SPAK) po heton ministra, ish-ministra dhe zyrtarë të lartë socialistë ndërkohë që një duzinë prej tyre janë në arrest me burg për korrupsion.
Ish zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj, i shkarkuar nga kryeministri Rama vitin e kaluar, u arratis para dy muajsh dhe tani është në kërkim ndërkombëtar. SPAK e akuzon atë për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe ka për atë një mandat arresti.
Kryeministri Rama u shpreh në Asamblenë e PS, që i parapriu paraqitjes të hënën të riformatimit të qeverisë se “nuk do të mbrojë asnjë pushtetar që do të përballet me drejtësinë.”
Kush largohet dhe kush vjen në qeverinë Rama?
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaҫka largohet nga kabineti qeveritar i kryeministrit Rama. Ajo ka qënë pjesë e qeverive Rama si ministre e Mirëqenies Sociale, Mbrojtjes dhe Punëve të Jashtme. Opozita i kërkon Gjykatës Kushtetuese heqjen e mandatit të deputetes pasi bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, është shpallur investitor strategjik nga qeveria Rama dhe është lejuar të ndërtojë në bregdetin e Jonit, në Dhërmi të Himarës një kompleks turistik, në një tokë të blerë prej tij, për të cilën ka një padi në SPAK për falsfikim dokumentash pronësie. Në vend të Olta Xhaҫkës, Kryeministri Rama emëron Igli Hasanin, ish përfaqësues i Shqipërisë në OSBE, 2018-2021, aktualisht koordinator i OSBE-së për Ekonominë dhe Klimën.
Një tjetër ministre që largohet është ajo e Bujqësisë, Frida Krifca. Në korrik të këtij viti Komisioni Europian (KE) njoftoi ndërprerjen e përkohëshme të financimit për të mbështetur bujqësinë dhe zhvillimin rural në kuadër të Programit IPARD II. Sipas delegacionit të BE në Tiranë, ndërprerja u bazua “në informacionin nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, pas hetimit lidhur me akuzat për korrupsion në zbatimin e programit IPARD II.” Në vend të saj në qeveri rikthehet deputetja socialiste Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë, 2018-2021.
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj shkarkohet dhe merr detyrën e ministres pa portofol të sipërmarrjes. Në vend të saj Kryeministri Rama emëron Ervin Meten, ish zëvendësministër në Ministrinë e Financave, aktualisht drejtor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Evis Kushi largohet nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Në vend të saj emërohet Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale që nga viti 2017. Ministre e Shëndetësisë emërohet Albana Koҫiu, drejtore e Departamentit të Administratës Publike. Ministrja e shtetit për Shërbime dhe Standartet, Milva Ekonomi, ajo e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi propozohen për në sekretariatin e PS.
Opozita: Qeveria Rama nuk i shpëton dot drejtësisë
Kryetari i PD Lulzim Basha e quajti PS pas riformatimit të saj “të damkosur nga SPAK për aferën e inceneratorëve që nuk i shpëton drejtësisë me tubime partiake” “Drejtësia duhet të vijojë punën e saj për hetimin e aferës së inceneratorëve, sterilizimit dhe çdo denoncimi për korrupsionin shtetëror në çdo hallkë. E pandikuar nga presioni qeveritar apo politik i kujtdo qoftë. Kjo është mënyra e vetme për të vënë para drejtësisë abuzuesit me pasuritë e shqiptarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre” theksoi Basha të hënën në median sociale. Riformatimi i qeverisë Rama pritet të miratohet me dekret nga presidenti Bajram Begaj./Deutsche Welle
Rruga Press