Lajme

Prokuroria pranon kërkesë për të marrë në pyetje Vuçiqin për rastin “Panda”

Prokuroria publike për krim të organizuar në Serbi ka pranuar një kërkesë për të marrë në pyetje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me rastin “Panda”.

Më 14 dhjetor të vitit 1998 persona të armatosur kishin hyrë në lokalin “Panda” në Pejë, duke vrarë gjashtë të rinj serbë.

Vuçiqi kishte deklaruar më herët se “pothuajse e di” çfarë kishte ndodhur atë natë në “Panda”.

Gazeta “Danas” ka raportuar se Prokuroria ka pranuar më 10 gusht një kërkesë në emër të prindërve të viktimave nga avokati Ivan Niniq, për ta intervistuar Vuçiqin për rastin.

Prokuroria mbetet të marrë vendim për këtë.

Niniq ka thënë për “Danas” se është në pritje të përgjigjes së Prokurorisë dhe se në emër të familjarëve të të rinjve të vrarë në atë rast, shpreson që përgjigja të jetë pozitive.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

“Çdo zgjidhje tjetër do të ishte shqetësuese”, ka thënë Niniq.

Sipas Niniqit, familjarët kanë paraqitur vetë disa herë kërkesa për intervistimin e Vuçiqit, porse nuk kishin marrë përgjigje.

Në kërkesën drejtuar Prokurorisë për krim të organizuar, avokati Niniq ka thënë se prindërit e viktimave kërkojnë që Vuçiqi të dërgjohet për rastin “Panda” në lidhje me deklaratat që kishte bërë disa herë për media, nga viti 2013 deri më 2018.

Ai kishte pretenduar se krimi nuk është kryer nga shqiptarët dhe se “pothuajse e di” se çfarë ka ndodhur në natën fatale.

Lexo më shumë  Flamuri bashkon shqiptarët, qytetarët e Kosovës rezervojnë në Shqipëri për festat e nëntorit

Niniq beson se Vuçiq do të duhej të dëgjohej, |sidomos për shkak të peshës së deklaratës së tij të dhjetorit të vitit 2013, pasi ishte kreu i Byrosë Koordinuese të Shërbimeve të Sigurisë”.

Në sulmin kishin mbetur gjashtë të rinj të vdekur dhe ishin lënduar edhe disa tjerë.

Ishte arrestuar një grup i shqiptarëve vendas dhe ish-zëvendës kryeministri i Jugosllavisë atëbotë, Nikola Shainoviq, kishte thënë se rasti “Panda” është zgjidhur. Por, shqiptarët e arrestuar u liruan më vonë në mungesë të provave. Në Prokurorinë për Krim të Organizuar në Beograd në nëntor të vitit 2015 ka nisur hetimi për rastin “Panda”, por aktakuza ende nuk është ngritur.

Rruga Press

YouTube player