Rritet numri i rezonancave magnetike, ministri Vitia: Lista e pritjes së pacientëve po vazhdon të bie
Investimet në sektorin e shëndetësisë po vazhdojnë dhe tashmë disa spitale janë bërë me rezonanca magnetike, të cilat kanë bërë që edhe pritjet e pacientëve për të marrë shërbimet të shkurtohen shumë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një postim në rrjetin social ka bërë të ditur se është shtuar një rezonancë magnetike e teknologjisë së fundit në spitalin e pediatrisë.
Ai ka thënë se është bërë funksionale edhe një rezonancë magnetike në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa në fazën e përfundimtare është procesi për rezonancën magnetike në Spitalin e Prizrenit.
Ministri Vitia ka shkruar se teksa në janar të këtij viti në QKUK kishte vetëm një rezonancë magnetike dhe lista e pritjes ishte deri në një vit, në gusht asnjë rast urgjent për pacientët pediatrikë dhe onkologjikë nuk qëndron në pritje.
“Vazhdojmë së bashku me stafin mjekësor punën për transformimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët tanë. Sfidat janë të shumta, por edhe më të mëdha janë dhe përpjekjet”, ka shkruar Vitia.
Rruga Press