Lajme

Beteja për ujin, BIRN: Banorët vuajnë pasojat e HEC-eve në bujqësi dhe turizëm

Në fshatrat e Gramshit dhe Librazhdit, ndërtimi pa kriter i HEC-eve ka sjellë pasoja të rënda për komunitetet dhe mjedisin, ndërkohë që beteja për ujin vazhdon.
Më 25 gusht, banorët e fshatit Grabovë e Sipërme në Gramsh u mblodhën për të dhjetën herë në protestë kundër ndërtimit të dy hidrocentraleve, për të cilat thonë se do t’u thajnë ujin dhe dëmtojnë turizmin malor që po lulëzon në zonë.

Banorët e zhvilluan protestën në qafën e Grabovës, aty ku kompania ndërtuese po hap kanalin e tubacionit që parashikohet të mbledhë ujin.

“Ne kemi dalë në qafën e Grabovës për të protestuar sërish. Herën tjetër do marrim gratë, fëmijët e pleqtë e do jemi prapë këtu, e ujin nuk e lemë të na e marrin,” thotë Todi Buzo, një prej banorëve në protestë.

Xhorxho Paço, një tjetër banor i zonës thotë se askush nuk i ka pyetur për ndërtimin e hidrocentralit dhe bën thirrje që të verifikohen firmat.

“Ne nuk kemi vdekur si fshat, ndaj i bëjmë thirrje shtetit të verifikojë se kush ia ka dhënë firmat për të ndërtuar hidrocentral, pasi ne si fshat nuk kemi hedhur firma,” pretendon ai.

Koncesionet për ndërtimin e hidrocentraleve Grabova 1 dhe Grabova 2 u miratuan në vitin 2017 në favor të bashkimit të kompanive “Vëllezërit Hysa dhe “Hidropower” sh.p.k. Ato do t’u shtohen dhjetëra hidrocentraleve të tjera të ndërtuara në bashkitë e Librazhdit dhe Gramshit gjatë viteve të fundit.

Eksperti mjedisor, Kristi Bashmili i tha BIRN se HEC-et në zonat e Librazhdit dhe Gramshit kanë dëmtuar habitatin mjedisor si dhe kanë përkeqësuar jetën dhe ekonominë e banorëve.

“HEC-et s’kanë kursyer habitatet e rëndësishme në zona të mbrojtura, veçanërisht të Parkut Kombëtar të “Shebenikut”, apo zona të tjera natyrore me rëndësi, si dhe kanë përkeqësuar ekonominë dhe jetesën e banorëve lokalë, kryesisht në Rrapun, Dragostunjë, fshatrat përgjatë lumit të Gostimës, në Polis si dhe në territorin e Gramshit,” tha Bashmili.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Banorë të zonave të prekura nga HEC-et i thanë BIRN në intervista të veçanta se problemeve të tyre të vjetra u është shtuar edhe mungesa e ujit për vaditje – duke nxitur shumë prej banorëve që të largohen nga vendi.

Në fshatin Dardhë të Librazhdit, kundërshtimi ndaj HEC-eve është një luftë e vjetër. Të mbetur pa zgjidhje, mbi 20 familje e braktisën fshatin vetëm gjatë vitit të fundit.

Bedri Rrenga i tha BIRN se jetesa e tyre është vështirësuar që prej kohës kur nëpër kanale nuk qarkullon më ujë.

“Luftën me HEC-et e kemi të vjetër, por ne nuk na e kanë fajin ata, por shteti. Askush nuk kujtohet për ne që të na ndihmojnë që të qëndrojmë, pasi nëse s’ka ujë, nëse s’ka rrugë e infrastrukturë, zgjidhja e vetme është largimi,” thotë Rrenga, që vazhdon të rezistojë pa u larguar nga vendlindja e tij.

Në Gostimë të Elbasanit, qindra banorë ndjehen të kërcënuar nga mungesa e ujit në të ardhmen, ndërsa një HEC po ndërtohet në afërsi të fshatit Fushë-Buall.

“Ndërtimi i HEC – it në afërsi të fshatit Fushë Buall, ndikon drejtpërsëdrejti në 250 – 300 familje, të cilat përdorin ujin e lumit për të ujitur rreth mbi 300 ha tokë bujqësore. Kështu, banorët e fshatrave përgjatë kësaj rrjedhe lumi, do të humbasin përgjithmonë traditën e kahershme të plazhit lumor dhe peshkimit,” tha Kristi Bashmili.

Eksperti mjedisor thekson se pasojat mund të shihen me sy në zona të ndryshme të Librazhdit. “Ndikime negative të tilla dallohen qartë në pjesën e poshtme të lumit Rrapun. Bimësia ujëdashëse e zallishtës si dhe zonat ripariane tashmë janë tkurrur ndjeshëm, si pasojë e mungesës së ujit,” shtoi ai.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Në Dragostunjë të Librazhdit, banorët kanë gjetur një zgjidhje të mesme me pronarin e HEC-it, i cili lejon një sasi uji për vaditje gjatë stinës së nxehtë. Por banorët ankohen se të rinjtë kanë ikur dhe tokat kanë mbetur djerrë.

“Kush gjeti mundësinë e iku nga këtu. Ne që kemi mbetur po përpëlitemi. Jemi krysisht të moshuar që po mbajmë me thonj tokat që të zhvillojmë pak bujqësi e blegtori. Rinia ka ikur,” thotë një i moshuar.

Eksperti Kristi Bashmili thotë se dhënia pa kriter e licensave për HEC-e i ka dhënë tashmë efektet negative në bujqësi dhe zhvillimin e turizmit.

“Degradimi i burimeve natyrore dhe biodiversitetit sjell ndikim të pakthyeshëm negativ edhe në aspektet e zhvillimit ekonomik të komuniteteve lokale, të cilët lidhin ngushtë aktivitetin e tyre me këto burime,” theksoi Bashmili.

“Pamundësia e zhvillimit të bujqësisë tradicionale dhe ulja e potencialit turistik të këtyre zonave, mbeten ndikime tejet serioze, ku në shumë raste nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet politikëbërse dhe qeverisëse,” shtoi ai.

Të tjera dëme që rendit eksperti janë prishja e peizazhit natyror dhe rritja e erozionit në brigje dhe sipërfaqe ku mungon bimësia.

“Në disa prej lumenjve dhe përrenjve ku HEC – et kanë devijuar ujin, kanë prishur përgjithmonë balancën e ekosistemit, duke e shkatërruar atë,” shtoi ai.

Në fshatin Grabovë e Sipërme të Gramshit, banorët thonë se nuk do të ndalen derisa leja e hidrocentralit të anulohet.

“Ne këtu do jemi me gjithë familjet dhe ujin nuk e lemë,” thotë Sokrat Paço, një tjetër protestues. “Ne do vazhdojmë të rezistojmë,” përfundoi ai./BIRN

Rruga Press

YouTube player