A i mbron Maqedonia qytetarët e saj nëse ata i përkasin etnisë shqiptare?
Shkruan Enver Robelli
Shtetet ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët e tyre nga arbitrariteti.
Siç është bërë e ditur, një familje shqiptare nga Gostivari është maltretuar nga policia afër Beogradit, është mbajtur peng gati 20 orë, është gjobitur dhe i është ndaluar hyrja në Serbi deri në vitin 2031 për shkak se fëmija i kësaj familjeje bartte një t-shirt me shqiponjë.
Ky është një incident i rëndë i shkaktuar nga autoritetet serbe të cilat kanë kriminalizuar simbolin nacional shqiptar. Duket se krejt ky precedent i rrezikshëm nuk i ka bërë përshtypje gati askujt në skenën politike në Maqedoni.
Ministria e Jashtme në Shkup nuk e ka ftuar në bisedë ambasadorin e Serbisë, nuk ka dalë me ndonjë deklaratë që dënon arbitraritetin e autoriteteve serbe, nuk ka protestuar, heshtin edhe partitë politike shqiptare në Maqedoni, ministrat, opozitarët, bajraktarët, patriotët dardanë etj.
I vetmi që e ka problematizuar këtë incident të shkaktuar nga policia serbe është ambasadori i Kosovës në Shkup, përmes një postimi në X (ish-Twitter).
Shtetet ekzistojnë për të mbrojtur qytetarët e tyre. A i mbron Maqedonia qytetarët e saj nëse ata i përkasin etnisë shqiptare?
Rruga Press