Vdekjα e gruas pas heqjes së dhëmbit në Malishevë, kërkohet paraburgim për dy të dyshuarit për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj Xh.K dhe Z.K, lidhur me rastin ku pacientja 35-vjeçare në Malishevë ka humbur jetën dhe shkak dyshohet të jetë trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor.
Këtë e ka konfirmuar Hekuran Batusha, bashkëpunëtor profesional në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
Sipas tij, ndaj të dyshuarit Xh.K, prokurori i rastit ka parashtruar kërkesën për paraburgim për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.
Ndërsa, për të dyshuarën H.K, është bërë kërkesa për paraburgim për veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” si dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”, raporton BpD.
Në anën tjetër, zyrtari i Gjykatës së Gjakovës, Lekë Muqaj, ka thënë se kjo kërkesë është pranuar në Gjykatë dhe gjyqtari i procedurës paraprake, Ilir Rashkaj shumë shpejtë do ta caktojë seancën për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit.
Ndryshe, në raportin 24 orësh të Policisë, të mërkurën, thuhej se janë arrestuar dy persona (një grua dhe një burrë), pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, me ç’rast viktima ka ndërruar jetë.
“Malishevë 22.08.2023-13:00. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar një femër dhe një mashkull kosovarë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare e cila ka ndërruar jetë”, thuhej në njoftim.
Lidhur me rastin ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në praktikat e licencimit
Kurse, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ordinanca ku është trajtuar tani e ndjera, ka vepruar ilegalisht.
Edhe Oda e Stomatologëve të Kosovës, ka reaguar pas rastit në Malishevë, ku dyshohet se një grua ka vdekur si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor. Ata u zotuan se pas marrjes së raporteve nga Inspektorati Shëndetësor, do t’i marrin masat e duhura ndaj stomatologut.
Rruga Press