KryesoreLajme

Merezhko: Kërcënimet e Vuçiqit pa asnjë ndikim për njohjen e Kosovës nga Ukraina

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Oleksandr Merezhko, është shprehur i tronditur për kërcënimet presidentit serb, Aleksandër Vuçiq ndaj Ukrainës nëse e njohin shtetin e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një fjalimi të fundit për mediat, iu referua një letre të ligjvënësve amerikanë dhe evropianë dërguar zyrtarëve të lartë në Bruksel, Uashington dhe Londër, për të kërkuar ndryshim të qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht ai u shpreh i shqetësuar për shkak se letra përmbante nënshkrimin e deputetit ukrainas Oleksandr Merezhko.

Presidenti i Serbisë gjatë fjalimit të tij në mënyrë indirekte kërcënoi Ukrainën që të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur, duke thënë se [Ukraina] mund të humbasë shumë duke e bërë këtë.

Deklaratave të presidentit serb i është përgjigjur Merezhko, i cili për “N1” ka thënë se kërcënimet e tij nuk do të kenë asnjë ndikim në vendimin e presidentit ukrainas nëse dhe kur ai vendos të njohë Kosovën, sepse kjo është e drejtë e tij kushtetuese.

“Para së gjithash, më ka tronditur mënyra krejtësisht e papranueshme, jo diplomatike me të cilën presidenti i Serbisë i ka paraqitur kërcënimet e tij. Kemi të bëjmë me kërcënime, madje edhe shantazhe absolutisht të papranueshme. Kështu e perceptoj unë deklaratën e tij ndaj nesh. Ne shohim se shtetet e tjera tashmë e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, duke përfshirë edhe aleatët tanë më të afërt. Jam i sigurt se është e drejta jonë sovrane të vendosim nëse do ta njohim apo jo. Dhe nuk i takon zotit Vuçiq të na mësojë apo të na diktojë se çfarë të bëjmë apo të na kërcënojë. Është absolutisht tronditëse dhe e papranueshme”, ka thënë Merezheko.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Më tej Merezheko ka thënë se “sa i përket njohjes, sipas Kushtetutës sonë, është prerogativë e presidentit tonë, sepse presidenti është përgjegjës për zhvillimin e politikës së jashtme, përfshirë çështjet e njohjes”.

“Për momentin, siç e kuptoj unë, Ministria jonë e Punëve të Jashtme nuk e konsideron të arsyeshme këtë çështje. Ndoshta kjo do të thotë se një vendim për këtë çështje do të shtyhet deri në fund të luftës. Ky është supozimi im. Por aktualisht nuk ka asnjë indikacion se Ukraina do ta njohë zyrtarisht Kosovën. Por në të njëjtën kohë, me sa dimë, unë jam anëtar i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe me sa dimë mund të vendoset çështja e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Dhe anëtarët e delegacionit ukrainas do të duhet të vendosin vetë për këtë çështje, duke përfshirë edhe mua. Pra, në një mënyrë apo tjetër, ne duhet të merremi me këtë çështje. Sigurisht, politikisht dhe juridikisht është një çështje e ndërlikuar. Por në të njëjtën kohë, dua të theksoj këtë pikë, se parlamenti ynë nuk vendos nëse do ta njohë apo jo Kosovën, por në të njëjtën kohë ka disa kolegë të mi që janë avokatë të fortë, të cilët shprehen për njohje dhe për mua ka kuptim mbështetja për njohjen e Kosovës”, tha ai.

Lexo më shumë  Kearns-Vuçiqit: Mohimi, vazhdimësi e krimeve – çka nisi me vrasje po vazhdon me falsifikim të historisë

“Sigurisht që ka argumente pro dhe kundër dhe ne duhet të marrim një vendim që mendoj se si anëtarë të delegacionit tonë në Asamblenë Parlamentare të këshillit duhet të vendosim vetë për këtë çështje. Por është një çështje e rëndësishme, sepse mund të shihni se ne mund të dallojmë, mund të shohim disa ngjashmëri mes Kosovës dhe Ukrainës. Ukraina aktualisht është e ekspozuar ndaj gjenocidit. Rusia po bën një luftë gjenocidiale kundër Ukrainës, dhe me sa më kujtohet nga historia e Kosovës, Kosova ishte në një situatë të ngjashme. Kishte spastrime etnike. Në realitet, ishte një eufemizëm për gjenocid dhe jepte si një të drejtë morale reale të paktën të pretendohej dhe të shpallej pavarësia. Prandaj, ka disa ngjashmëri, por sigurisht, përpara se të marrim vendimin përfundimtar, ne duhet ta marrim atë në mënyrë të përgjegjshme, duke peshuar të gjitha të mirat dhe të këqijat e aspekteve ligjore, morale dhe politike”, tha Merezheko, i cili po qëndron për vizitë në Malajzi.

Rruga Press

YouTube player