Subvencionet për efiçiencë, Konjuhi: Për gratë pronare 5% shtesë, auditori verifikon çdo aplikues
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë shpenzuar paktën 250 KW energji në dy vjetët e fundit të aplikojnë për subvencione për termoizolimin e mureve të jashtme, të kulmit, si dhe ndërrimin e dritareve e dyerve.
Fillojetë Konjufi, në një intervistë për Ekonominë Online, tha se ndonëse masa maksimale subvencionimit është 45%, nëse gruaja është pronare e shtëpisë ose nëse prona është në bashkëpronësi të dy bashkëshortëve, atëherë jepet një shtesë prej 5%, duke e bërë kështu mbulimin nga subvencioni 50% pa e kaluar shumën prej 5500 eurove.
Ajo më tej ka shtuar se procedurat e aplikimit janë shumë të thjeshta dhe se aplikimi bëhet në platformën e-Kosova.
“Nga java e kaluar kemi hapur thirrjen për subvencionim të masave të eficiencës nëpër shtëpitë individuale të banimit, me të cilat synojmë t’i ndihmojmë qytetarët e Republikës së Kosovës me subvencionim 45%, por edhe 50% me një bonus 5% kur gruaja është pronare e shtëpisë ose prona është pronë e çiftit, por pa kaluar shumën maksimale prej 5500 eurove. Përmes këtij subvencionimi qytetarët përfitojnë izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve dhe dritareve dhe izolimin e kulmit, do të thotë izolimin e jashtëm të shtëpisë. Procedurat e aplikimit janë të thjeshta, së pari qytetarët duhet ta lexojnë me vëmendje thirrjen publike në të cilën janë të shënuara të gjitha detajet e procesit, duke filluar prej kushteve bazë, do të thotë për përzgjedhje deri te kriteret e seleksionimit dhe të gjitha procedurat e tjera deri në marrjen e parave në fund.
Fillimisht qytetarët duhet të hyjnë në e-Kosova, të hyjnë të shohin nëse janë konsumues të së paku 250 kW për muaj në 21 nga 24 muajt e fundit, ky është kriteri bazë e më pas hapet aplikimi, pasi ta verifikojmë konsumin qytetarët duhet të ftojnë një auditor të energjisë të cilin e kanë në listën e publikuar në e-Kosova ose në uebfaqen e Fondit të Kosovës për Eficiencë të Energjisë dhe auditori më pas bënë një raport të thjeshtëzuar, do të thotë pas matjeve, me të cilin e pajisë qytetarin dhe kur qytetari merr raportin e auditimit, atëherë mund të fillojë të vazhdojë aplikimin në e-Kosova”, u shpreh Konjuhi.
Konjuhi theksoi se qytetarët duhet të gjithë shumën ta paguajnë vet e më pas do të rimburësohen, duke sqaruar se kjo do të ndodhë vetëm pasi të jenë kryer punimet dhe të jenë listuar dokumentet e nevojshme të cekura në thirrje.
“Projekti është ndërtuar në atë bazë që t’i jepet qytetarit fleksibilitet të zgjedhë investitorët, të zgjedhë auditorët, do të thotë të jetë investitori kryesor në punimet të cilat i kryen në shtëpi, prandaj duhet t’i paguajë të gjitha vetë. Pasi t’i ketë kryer punimet, qytetari e lajmëron Fondin e Kosovës për Eficiencë të Energjisë që ka përfunduar punimet, sjell dokumentet e nevojshme të cilat i ka të listuara në thirrje dhe një kompani e kontraktuar nga fondi ose nga inxhinierët e fondit dalin dhe verifikojnë këto punime në terren dhe pas verifikimit të punimeve fillon më pas procesi i disburësimit. Do të thotë qytetari lidh kontratë me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe i merr paratë të cilat i takojnë si subvencionim”, tha Konjuhi.
E mbi auditorin e energjisë, Konjuhi tha se puna e tij është të verifikojë nëse qytetari ka me të vërtetë nevojë për këtë subvencionim.
Gjithashtu, siç tha Konjuhi, auditori paguhet nga qytetari për të bërë matjet për raportin që i duhet të dorëzojë, por që kjo pagesë i rimburësohet nga Fondi më pas.
“Auditori i energjisë do të bëjë matje, do të thotë do të verifikojë nëse qytetari ka me të vërtetë nevojë për implementimin e masave të eficiencës për të cilat ai synon të aplikojë dhe përgatit një raport të thjeshtëzuar ku i jep të gjitha detajet e gjendjes aktuale të shtëpisë dhe masat të cilat duhet të implementohen dhe kjo në njëfarë mënyre është një garanci që qytetari ka nevojë për masat e efiçienës dhe e sjell më afër përfitimit të subvencionimit nga ana jonë. Auditori në këtë fazë paguhet nga qytetari, por në fund kur fiton subvencionimin merr 150 euro nga fondi si rimburësim për pagesën që ka bërë për auditorin për ta marrë raportin”, u shpreh Fillojetë Konjuhi, nga Fondi i Efiçiencës së Energjisë.
Rruga Press