Lajme

Takimi përshëndetës për Mehajn, Kurti: Me insistimin e tij pagat në FSK u rritën për 30%

Kryeministri Albin Kurti mbrëmjen e së hënës në “Ballkonin e hapur” ka organizuar pritjen lamtumirës për ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, në të cilën ishin të pranishëm anëtarë të kabinetit qeverisës, diplomatë të shumtë, përfaqësues të lartë të KFOR-it, udhëheqës të ndryshëm të institucioneve vendore e ndërkombëtare, deputetë të Kuvendit të Republikës e bashkëpunëtorë të afërt.

Në këtë pritje Kurti, përmes një fjale rasti, vlerësoi se prejse u themelua ajo, Armend Mehaj është më punëtori, më i përkushtuari dhe më i suksesshmi në krye të Ministrisë të cilën e udhëhoqi, thuhet në komunikatën për media.

“Gjatë 29 muajve sa ishte në detyrë ish ministri Mehaj, pothuajse është dyfishuar numri i ushtarëve, duke iu shtuar radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës 2,240 të rinj e të reja. Blerja e armatimit është rritur për 191%, do me thënë gati trefish më shumë sesa kur e ka marrë detyrën”, tha kryeministri derisa shtoi se “buxheti për ushtrinë sot është mbi dy herë më i madh sesa para dy vjetëve, duke shënuar rritje nga 67 milionë euro sa ishte në vitin 2021, në 141 milionë euro sa e kemi sot”.

Sipas tij, “me insistimin e Armendit, ushtarët e thjeshtë dhe oficerët e rinj të FSK-së, tashmë gëzojnë një rrogë dinjitoze, mbi 30% më të lartë se pagat e tyre paraprake. Ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur”.

Duke e vlerësuar për punën e tij si ministër, Kurti tha se ish-ministri Mehaj ka bashkëpunuar me kolegët e tij të kabinetit qeveritar, bashkëpunim ndërministror i cili sipas kryeministrit ka dhënë fryt në disa drejtime të rëndësishme.

“Arritjet e ish ministrit Mehaj janë dëshmuar edhe në bashkëpunimin e tij të dendur dhe të ngushtë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Mbrojtjes dhe e FSK-së e ka rritur dukshëm profilin ushtarak të Republikës në rang botëror, duke realizuar misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt dhe misionin ndërkombëtar në Ishujt Falkland. Dhe, pas tërmetit shkatërrues në Turqi, në shkurtin e këtij viti, ekipi i FSK-së nisi menjëherë në një mision të kërkim-shpëtimit. E gjatë këtij misioni, ushtarët tanë arritën të shpëtojnë disa jetë njerëzish, duke përfshirë aty edhe dy fëmijë”, tha Kurti.

Më tej, Kurti tha se “suksesi i ish-ministrit Mehaj në arenën ndërkombëtare është shfaqur edhe në përpjekjet e tij për ta avancuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt NATO-s. Ai e ka kuptuar thellë, se NATO-ja ka qenë jo vetëm kontribuese në çlirimin dhe sigurimin e Kosovës, por është edhe destinacioni ynë”.

Kurti gjithashtu veçoi se ditët e fundjavës si ministër, Mehaj i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur.

Lexo më shumë  Sulmohet me granatë dore ndërtesa e komunës së Zveçanit

Ndërkaq, ish ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit tha se i beson motos e cila thuhet në ushtri “Krah për krah”, nëse ecim krah për krah atëherë i arrijmë edhe qëllimet e përbashkëta.

Pasi falënderoi kryeministrin për fjalët dhe besimin e dhënë ai tha se ka bërë vetëm punën e tij pasi siç tha ai këtë ia kemi borxh atdheut dhe çdo dëshmori të kombit. Më tej ish-ministri Mehaj tha se qëllimi i përbashkët i të gjithëve është integrimi i Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Fjalimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

I nderuari ish-ministër Mehaj,

Të nderuar ambasadorë dhe diplomatë të tjerë,

I nderuari komandant i KFOR-it, Gjeneralmajor Ristuccia,

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra të Qeverisë,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të respektuar gjeneralë e oficerë,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Të dashur bashkëpunëtorë, kolegë e miq,

Zonja dhe Zotërinj,

Prejse u themelua ajo, Armend Mehaj është më punëtori, më i përkushtuari dhe më i suksesshmi në krye të Ministrisë të cilën e udhëhoqi. Ju që e keni pasur kënaqësinë për ta njohur nga afër ish ministrin Mehaj, besoj se do të pajtoheni me vlerësimin tim.

Shifrat dëshmojnë qartë se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës janë më të forta sot se kurrë më parë. Gjatë 29 muajve sa ishte në detyrë ish ministri Mehaj, pothuajse është dyfishuar numri i ushtarëve, duke iu shtuar radhëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës 2,240 të rinj e të reja. Blerja e armatimit është rritur për 191%, do me thënë gati trefish më shumë sesa kur e ka marrë detyrën.

Po ashtu, edhe buxheti për ushtrinë sot është mbi dy herë më i madh sesa para dy vjetëve, duke shënuar rritje nga 67 milionë euro sa ishte në vitin 2021, në 141 milionë euro sa e kemi sot. Janë shkolluar 90 oficerë në Akademinë tonë të Mbrojtjes dhe në akademitë ushtarake më prestigjioze nëpër botë. Ndërsa janë trajnuar mbi 3000 oficerë brenda e jashtë vendit, që është rreth tetë herë më shumë se sa në qeverisjet e kaluara.

Si kryeministër, kam vërejtur se sa lehtë e ka pasur ish ministri Mehaj për të bashkëpunuar me kolegët e tij të kabinetit qeveritar. Ky bashkëpunim ndërministror ka dhënë fryt në disa drejtime të rëndësishme.

Me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ish ministri Mehaj ka finalizuar planprogramin për lëndën shkollore “Edukim për siguri”, që brezat e rinj të kultivojnë ndjenjat e patriotizmit dhe të shërbimit ndaj vendit. Me Ministrinë e Shëndetësisë ka nënshkruar një protokoll bashkëpunimi, përmes të cilit Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës e mbështet Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, në edukimin e stafit profesional dhe mjekësor. Me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatën e Xhudos, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për të integruar artet marciale në programet e përhershme trajnuese dhe arsimore të FSK-së. E me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, znj. Emilija Redëepi, ka organizuar takim me të rinj dhe të reja të komuniteteve joshumicë, për t’iu treguar se edhe ata e kanë vendin në ushtrinë tonë, njësoj sikurse të gjithë qytetarët e tjerë.

Lexo më shumë  Kurti uron Von der Leyen: Mezi presim të punojmë së bashku për ta çuar Kosovën drejt anëtarësimit

Në fakt, ky takim ka qenë vetëm një prej përpjekjeve të shumta të ish ministrit Mehaj për të përfshirë sa më shumë gra dhe pjesëtarë të komuniteteve në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes të Republikës sonë të përbashkët.

Arritjet e ish ministrit Mehaj janë dëshmuar edhe në bashkëpunimin e tij të dendur dhe të ngushtë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Mbrojtjes dhe e FSK-së e ka rritur dukshëm profilin ushtarak të Republikës në rang botëror, duke realizuar misionin e parë paqeruajtës në Kuvajt dhe misionin ndërkombëtar në Ishujt Falkland. Dhe, pas tërmetit shkatërrues në Turqi, në shkurtin e këtij viti, ekipi i FSK-së nisi menjëherë në një mision të kërkim-shpëtimit. E gjatë këtij misioni, ushtarët tanë arritën të shpëtojnë disa jetë njerëzish, duke përfshirë aty edhe dy fëmijë.

Suksesi i ish ministrit Mehaj në arenën ndërkombëtare është shfaqur edhe në përpjekjet e tij për ta avancuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt NATO-s. Ai e ka kuptuar thellë, se NATO-ja ka qenë jo vetëm kontribuese në çlirimin dhe sigurimin e Kosovës, por është edhe destinacioni ynë. Përmes ndryshimit në Ligjin për FSK-në, me heqjen e kufizimit në numër të ushtarëve, si dhe me miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës dhe të Sigurisë së Mbrojtjes, shteti ynë po përparon me hapa të mëdhenj drejt përmbushjes së standardeve të NATO-s. Gjithashtu, nën udhëheqjen e ish ministrit Mehaj, vendi ynë ka shërbyer, për herë të parë, si nikoqir i stërvitjes më të madhe ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit, “Defender Europe”, në vitin 2021 dhe 2023.

Nuk mund ta lë pa e përmendur edhe faktin se, gjatë shërbimit të tij, Armendi është treguar jo vetëm bashkëpunëtor i fortë, por mbi të gjitha, njeri i mirë dhe zemërgjerë. Me insistimin e Armendit, ushtarët e thjeshtë dhe oficerët e rinj të FSK-së, tashmë gëzojnë një rrogë dinjitoze, mbi 30% më të lartë se pagat e tyre paraprake. Ditët e fundjavës si ministër, Armendi i shfrytëzonte jo për të pushuar pas një jave të mbushur me punë dhe aktivitete, por për të vizituar dhe falënderuar familjet e dëshmorëve, të cilët kanë bërë sakrificën më të madhe të mundshme, duke dhënë bijat dhe bijtë e tyre, që ne të jetojmë në liri në Kosovën e pavarur.

Armend: në emrin tim, dhe në emrin e të gjithë Qeverisë, të faleminderit përzemërsisht për punën dhe shërbimin tënd gjatë këtyre dy vjet e pesë muajve të fundit. Faleminderit që, edhe pse fizikisht larg Kosovës, kurrë s’ke qenë larg me mendje e me zemër. Dhe kurrë se ke harruar se sa shumë i kemi borxh atdheut tonë, Republikës së dashur të Kosovës. Faleminderit!

Rruga Press

YouTube player