Art & Kulturë

Unë,Bija e harruar e një Vendi të harruar

Nga Drita Osmani

Unë,

Bija e harruar e një Vendi të harruar.

Mbesa e stërmbesa e këtyre burrave të mëdhenj.

Eja të të mësoj si është të jetosh me shekuj në istikam Presheve.

Ta mësosh dhe ti si mbrohet gjuha e sa e rëndë është ruajtja e gur kufirit nën frikën e asimilimit dhe dyndjeve.

të mësoj si fliste shqip Molla e Kuqe, Nishi, Vranja, Surdulica, Leskoci, Kurshumlija, Masurica e Toplica.

Të të mësoj sa rëndë është me u mësu Historia Shqiptare, tinëz e odave.

Të të mësoj kush ishte Deli Agushi, Xheladin Kurbalia e Jetë Rainca.

E kush na ishin Sheh Salimi e Sheh Hyseni.

Shaip Mustafa, Abdullah Saqipi, Haxhi Veliu e Shaip Efendia.

Ibrahim Kelmendi e Mehmetaki Jusufi.

Të rrëfej gjatë për Preshevën-Shqipninë e Vogël të Adem Agës- Adem Kamberit.

Kush ishte Kamber Aga, Durmish Durça, Osman Çaushi e Maksut Efendija.

Mehmet Muhaxhiri, Haxhi Abazi.

More të të mësoj kush ishte Mulla Hasan Masurica.

Të përulesh edhe ti para Varrit të Bardhyl Osmanit e Ibrahim Fejzullahut.

Të të tregoj me po atë entuziazëm sa e donte Bashkimin Kombëtar Ali Aliu e Skender Kadriu. Sa mirë e mbarë na i mësonte shkronjat Hilmi Qerimi…

E sa bukur këndonte Alfabetin e Shqipes, Zotëri Ahmeti kur na fliste për Migjenin.

Sa lot derdhëm e si na i kthyen të vdekur Qenan Shaipin, Izeir Sadikun e Gykmen Halilin.

Në Vilën Letafet, eja kokë më kokë të flasim për rëndësinë e Shkronjave të Alfabetit të Manastirit që Preshevën e bën vatër të akademikëve.

Të të mësoj për varret e Krushqeve tek Livadhi i Shehut.

E ta kuptosh edhe vet, pse Sherri i Preshevës mbërrini në derë të Stambollit.

Të të mësoj ku e si e gjeti frymëzimin Mirkoja, i biri i Marko Gashit,kur shkroi Ilan,Ilan na quanin asokohe në Gjilan.

Të të tregoj kur e si lindi vallja e Miratocës.

Të të flas për selamet plot mallë të shqiptarëve në Turqi e te Kenan Evrenit.

Të çoj kah Kafja e Tozës, në podrumet e së cilës u masakruan me sharrë shqiptarët mes të cilëve edhe Muezini, nga xhelatë, përcjellur me kangë e vrerë mejhanesh.

Të të mësoj, si është të jetosh me frikën e të paturit fat të ngjajshëm me Shqiptarët e Masuricës e Toplicës.

Me dëshirën për të qëndruar përjetësisht

S H Q I P T A R 🇦🇱në Preshevën shqiptare.

Në Preshevën e Demostratave-të Pranverës së hershme studentore.

Në Preshevën e Referendumit e vullnetit të Popullit e të Ibrahim Kadriut.

Në Preshevën e Festivaleve, e kokave të zgjuara, në Preshevën mikëpritëse e solidare për të shtypurit duke qenë vetë e shtypur dhe e harruar.

Preshevën e sofrës së shtruar dhe derës së hapur për Mikun.

Preshevën që ka mbetë pa Zot, as bijë e dashtun Shqipërie,

as motër e pandashme Kosove.

Për Preshevën që po mbetet

e kujtimeve

e pleqëve,

e varreve,

E që çdo ditë e zbardhur në të ardhmen e saj,

është mjegullinë,

ditë zie,

rrugë migrimi,

asimilimi.

Për Preshevën që po e pret një fat binjak Sanxhaku, Çamërie e Moreje.

Që do ta gjejmë ndoshta

vetëm në mallë.

Vetëm në këngë,

e vetëm në varg.

D R I T A O S M A N I

Rruga Press

YouTube player