Lajme

BQK: Kosova me rritje reale ekonomike prej 4 për qind

Banka Qendrore e Republikës së Kosovë, njofton se Kosova pati rritje ekonomike prej 4 %.

Kështu thuhet në raportin e fundit të BQK-së, “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë”.

“Vlerësimet e BQK-së sugjerojnë për një rritje reale ekonomike prej 4.0 për qind. Kërkesa e brendshme vlerësohet si faktori kryesor që ka kontribuar në këtë rritje ekonomike gjatë këtij tremujori. Investimet vlerësohet të kenë pasur një efekt pozitiv në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik, ndërsa konsumi rritje të ngadalësuar, kryesisht për shkak të inflacionit të lartë”, njofton BQK-ja.

Edhe pse inflacioni është ulur ndjeshëm, sipas BQK-së, ai vazhdon të mbetet i lartë, duke ndikuar negativisht në fuqinë blerëse të konsumatorëve. Për sa i përket tregtisë së jashtme, vlerësohet se eksportet neto kanë pasur ndikim negativ në rritjen e aktivitetit ekonomik.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovë, njofton se buxheti i Kosovës në TM1 2023 shënoi bilanc primar buxhetor pozitiv, si rezultat i rritjes më të lartë të të hyrave buxhetore krahasuar me shpenzimet, ndërsa borxhi publik ra në 18.1 për qind të BPV-së, krahasuar me 20.3 për qind në TM1 2022.

Lexo më shumë  Të arrestuarit në Kosovë për mbishkrimet nxitëse në gjuhën serbe, pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi

“Përmirësimi i bilancit buxhetor të qeverisë dhe rritja e BPV-së nominale, që zvogëlon raportin e borxhit ndaj BPV-së, kryesisht ndikuan në rënien e nivelit të borxhit publik”, thuhet në raportin e BQK-së, “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë”

Sipas BQK-së, rritja e aktivitetit ekonomik në TM1 2023 është mbështetur kryesisht nga rritja e vlerës së shtuar në sektorin e tregtisë (9.8 për qind), sektorin industrisë përpunuese (9.2 për qind), sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit (7.4 për qind), etj.

“Të dhënat e qarkullimit të bizneseve konfirmojnë këtë rritje, ku qarkullimi në sektorin e tregtisë ka shënuar një rritje prej 10.1 për qind, ndërsa në sektorin e industrisë përpunuese është rritur me 7.6 për qind. Sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit ka shënuar një rritje të dukshme prej 22.3 për qind”, thuhet në raport.

Në kontrast, sektori i ndërtimtarisë, për shkak të rritjes së kostos së ndërtimit, pati një performancë të dobët gjatë vitit të kaluar.

Lexo më shumë  Dosja e SPAK/ Banda e Suel Çelës shoqëroi Edi Ramën në Elbasan

Megjithatë, në TM1 2023, me ngadalësimin e rritjes së kostos së ndërtimit, kjo industri ka shënuar një rritje të vlerës së shtuar prej 1.4 për qind dhe një rritje të qarkullimit prej 12.4 për qind.

BQK, njofton se aktiviteti ekonomik u reflektua në rritjen e numrit të ndërmarrjeve të regjistruara, që arriti në 3,086 ndërmarrje në TM1 2023, gjegjësisht 9.0 për qind më shumë krahasuar me TM1 2022.

“Sektori i tregtisë, prodhimit, ndërtimtarisë, aktiviteteve profesionale, hotelerisë dhe sektorë të tjerë regjistruan numër më të madh të ndërmarrjeve të regjistruara. Këto sektorë treguan një rritje të ndjeshme në numrin e ndërmarrjeve krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Në anën tjetër, gjatë TM1 2023, u mbyllën 446 ndërmarrje, që përfaqëson një zvogëlim prej 9.9 për qind krahasuar me TM1 2022”, thuhet në raport.

Rruga Press

YouTube player