Lajme

Në cilin qytet po marrin më shumë kredi qytetarët?

Në një analizë të portofolit të kredisë së individëve sipas rretheve, tregohen të dhënat se cilat janë qytetet marrin më shumë kredi. Të dhënat i referohen portofolit në total, pra jo kredisë së re, gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Në rast se shohim rrethet/qytetet sipas ndryshimit të këtij portofoli krahasuar me tre muaj e parë të vitit, kuptojmë se në vend të parë në terma rritje është Elbasani, me 3.3%, duke u ngjitur në 6.8 miliardë lekë, nga 6.6 miliardë lekë që ishte në tremujorin e parë të vitit.

Më pas ndjek Vlora, me 2.5% rritje, pranë 8.1 miliardë lekëve dhe Tirana, me 1.4% rritje, pranë 169 miliardë lekëve. Vijon më pas Shkodra, me një rritje prej 0.9% në terma tremujorësh, Durrësi me 0.8% rritje, Fieri me 0.7% rritje dhe Korça me 0.5% rritje. Në vend të fundit ndërkohë pozicionohet Lezha, me një rënie të kredisë për individët prej 0.6% në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me tremujorin pararendës. Kjo do të thotë se familjarët në Lezhë gjatë kësaj periudhe kohore kanë shlyer kreditë ekzistuese me një hap më të shpejtë se kanë marrë kredi të re.

Lexo më shumë  SMS-të deputetit të Ramës me botën e krimit, Çyrbja: Po vjen Operacionalja e Tiranës. Ke vend ku të fshihesh apo të vij unë?

Këto të dhëna i referohen kredisë në total për individët, dhe nëse analizojmë vetëm kredinë për blerje banese, situata ndryshon disi. Në vend të parë vijon të mbetet Elbasani, me një rritje prej 3.6% në terma tremujorësh, dhe ndiqet nga Vlora, me 1.9% rritje si dhe Durrësi me 0.9% rritje. Ndjek më pas në renditje Lezha, me 0.5% rritje dhe Tirana me 0.4%. Tre rrethe/qytete ndërkohë regjistrojnë tkurrje të portofolit të kredisë për blerje banese nga individët dhe ato janë: Shkodra, me 0.2% rënie, Korça me 0.4% rënie dhe Fieri me plot 1.1% rënie. Në këto tre rrethe/qytete të vendit segmenti i kredisë për blerje banese duket se po humbet terren.

Në drejtim të kredisë konsumatore për individët ndërkohë shifrat sinjalizojnë se rritja më e madhe e portofolit në tremujorin e dytë të vitit është regjistruar në Tiranë, me 5.1%, ndjekur nga Fieri, me 2.6%, Shkodra me 2.5%, Elbasani me 2.3%, Durrësi me 1.9% dhe Vlora me 1.2%. Lezha është në vend të fundit, me një tkurrje të portofolit të kredisë konsumatore për individët prej 3.9% në terma tremujorësh.

Ndërkohë që në një anë rritja e kreditimit tregon rritje të barrës së borxhit për familjet, në anën tjetër tregon edhe zhvillim dhe qarkullim të ekonomisë, sidomos kredia për blerje banese. Kjo e fundit ka njohur një rritje mjaft të madhe gjatë dy viteve të fundit, rrjedhojë e boomit të sektorit të ndërtimit por edhe e lehtësimit të kushteve të kreditimit nga bankat që operojnë në vendin tonë. Por, siç e tregojnë qartë shifrat, kjo tendencë në rritje për këtë segment të kredisë nuk është uniforme në çdo pjesë të Shqipërisë.

Rruga Press

YouTube player