Lajme

U ndalohet për tri vite hyrja në Kosovë dy serbëve të akuzuar për pjesëmarrje në protestën e dhunshme në Leposaviq

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Sinisha Jeviq dhe Ivan Sekuliq, duke ua ndaluar hyrjen për tre vjet në Kosovës. Të njëjtëve, Gjykata përveç dëbimit u ka shqiptuar edhe dënim me nga gjashtë muaj burg secilit, masë e cila iu zëvendësua me para.

Dy serbët e dënuar akuzoheshin për pjesëmarrje në protestën e dhunshme në Leposaviq, të cilat ndodhën më 30 maj të këtij viti.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të enjten nga gjykatësi Vesel Ismajli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuarit Jeviq për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen dhe vepër penale të huliganizmit” u dënua me 6 muajsh burgim i cili me pëlqimin e tij mund të zëvendësohet me dënim me gjobë në lartësi prej 7 mijë euro, në të cilën do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 20 euro për një ditë qëndrimi.

Ndërsa, i akuzuari Sekuliq për veprën e njëjtë u dënua po ashtu me 6 muaj burgim i cili dënim mund t’i zëvendësohet me 7 mijë euro gjobë.

I njëjti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” u dënua me 2 mijë euro gjobë.

Lexo më shumë  “Focus”: Drama e portit të Durrësit, largohen investitorët gjermanë

Të njëjtit shpenzimet e procedurës do t’i paguajnë veç e veç dhe paushallin gjyqësor prej 200 eurove , si dhe fondin për fondin e kompensimit te viktimave të krimit secili 50 euro.

Të akuzuarit, në seancën e së mërkurës kanë pranuar fajësinë për çka akuzohen, duke u shprehur të penduar.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 24 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë ndaj Sinisha Jeviq dhe Ivan Sekuliq, pasi që të njëjtët kanë tentuar të marrin pjesë në turmën e mbledhur dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme të huliganizmit më 30 maj 2023, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, Komuna e Leposaviqit, që kishin kaluar kufirin dhe në bashkëkryerje kanë ndërmarrë të gjitha veprimet përgatitore, duke u pajisur me thika, çekanë, flamuj të Serbisë, sprej e sende të destinuara për shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.

Sipas aktakuzës, të njëjtit duke qenë në kontakt me pjesëmarrës të tjerë të turmës në

Leposaviq, janë pajtuar që t’i bashkëngjiten turmës së dhunshme të protestuesve serbë të 29 majit 2023, me ç‘rast protestuesit i kishin ushtruar dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri, ku ishin lënduar 30 pjesëtare të KFOR-it, Policisë së Kosovës si dhe ishin dëmtuar veturat e gazetarëve.

Lexo më shumë  Protesta për vrasjen e 14-vjeçarit, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Manastirliut

Aktakuza thotë se të akuzuarit ishin ndalur nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe kështu ishte pamundësuar pjesëmarrja e tyre në turmën e lartpërmendur

Andaj, më këtë të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen dhe vepër penale të huliganizmit” nga neni 404, paragrafi 1 dhe 3 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Sekuliq në kohë dhe vend të përshkruar si më sipër, pasi ishin ndalur nga pjesëtarë të policisë gjatë kontrollimit në veturë i shin gjetur dhe sekuestruar katër sprej dhe piper sprej, për të cilat nuk kishte autorizim që t’i mbajë.

Më këtë, i njëjti akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Rruga Press

YouTube player