Hajdari: 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kanë emërime kundërkushtetuese
Ministrja e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari ka thënë se gjatë kontrollit është gjetur se 48 dosje të bizneseve të regjistruar në ARBK kanë emërime kundërkushtetuese.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë”.
“Pas riverifikimit dhe pezullimit të certifikatave të biznesit për Klan Kosova SH.P.K. dhe ARTMOTION SH.P.K., Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë( MINT) nuk është ndalur vetëm me këto dy raste. Me 6 korrik 2023, MINT ka themeluar Komisionin për riverifikim të dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në veçanti të atyre me dokumentacione të dyshimta me emërtime antikushtetuese. Përgjatë 10 ditëve gjatë këtij muaji korrik – 10.07.2023 deri më datë 19.07.2023, Komisioni ka riverifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK. Fokus i riverifikimit kanë qen dosjet që kryesisht kanë prezantuar dokumentin personal me rubrikën vendi/shteti i lindjes, apo vendbanimi aktual me emërtime kundërkushtetuese”, thuhet në njoftim. “Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: ‘Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia’, ‘Pejë – Republika e Serbisë’, ‘Gjilan – Serbia’, ‘Gjakovë – Republika e Serbisë’ etj”, thuhet në njoftim.
Hajdari ka thënë se “ARBK-ja do të vazhdojë me zbatimin e ligjit edhe në këto 48 raste tjera, në të njëjtën mënyrë të trajtimit sikurse për Klan Kosova sh.p.k. dhe ARTMOTION sh.p.k”.
Sipas saj, pretendimet se MINT ka vepruar me qëllim që të kufizojë lirinë e medias apo me prapavijë politike, janë tendencioze dhe plotësisht të pavërteta.
“Si përherë, MINT është i përkushtuar ndaj zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, pa kompromis, pa përjashtim dhe pa diskriminim”, thuhet tutje në njoftim.
Rruga Press