Puçi i shtetit në Niger, BE refuzon të njohë udhëheqisin e ri. Ndërpret marrëdhëniet
Bashkimi Evropian e ka pezulluar gjithë bashkëpunimin me Nigerin në fushën e sigurisë, pasi ushtria e shtetit e ka marrë pushtetin përmes një puçi.
Ky vendim është bërë i ditur pasi Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje të plotë për presidentin e rrëzuar Mahmaed Bazoum – i cili është konsideruar aleat kyç në luftën kundër militantëve islamikë.
Të premten, udhëheqësi i Gardës presidenciale, gjenerali Abdourahmane Tchiani e ka shpallur veten lider të ri të Nigerit.
Ai ka thënë se pasiguria, problemet ekonomike dhe korrupsioni, e kanë shtyrë që ta marrë pushtetin në dorë.
Mirëpo Perëndimi është shprehur i shqetësuar se me kë do të bëjë tani aleancë lideri i ri.
Vendet fqinje të Nigerit, Burkina Faso dhe Mali, të dyja janë drejtuar kah Rusia, prej puçeve që kanë ndodhur brenda shteteve të tyre.
Kryediplomati i BE-së, Josep Borell, u është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Francës, duke refuzuar që ta njohë liderin e ri si udhëheqës të shtetit, dhe ka thënë se bashkëpunimi dhe ndihmat buxhetore do të pezullohen pa afat kohor.
Mes tjerash, të shtunën edhe Unioni Afrikan i ka bërë thirrje ushtrisë së Nigerit që të kthehet në bazën e saj brenda 15 ditëve.
Bazoumi ka qenë lideri i parë i zgjedhur i Nigerit që e ka pasuar një lider tjetër, prej pavarësisë së shtetit më 1960.
Aktualisht, ai besohet se gëzon shëndet të mirë, por edhe duke u mbajtur rob nga garda e tij.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Bazoumit, dhe i ka dënuar “përpjekjet për ndryshimin e Qeverisë së Nigerit përmes rrugëve jokushtetuese”.
Rruga Press