Opinion/Aktualitet

AGK kundër AGK! Urrejtja kundër normës dhe etikës!

Nga Sami Kurteshi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), më 15.7.2023 ka reaguar ndaj shkrimit të ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës në facebook, Xhelal Sveçla, më 15.7.2023, duke marrë shkas nga kjo fjali e tij: “Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë.” Çfarë nuk është e vërtetë në këtë fjali?

AGK-ja, në këtë reagim, ndër të tjera shkruan: “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka parë me shqetësim një postim të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilin ai përdorë gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të mediave dhe gazetarëve.”

Unë jam i vetëdijshëm se në kohën e mundësive gati të pakufishme për përhapje të informatës dhe lajmit, në kohën e lehtësisë së paimagjinueshme për krijimin e platformave elektronike që mund të mbledhin informata nga burime të shumta në sekuenca të shkurta kohore dhe ato pastaj t’i shpërndajnë për interes të tyre – kufiri midis gazetarit si profesion dhe individit tekstshkrues është bërë shumë i rrëshqitshëm dhe jolehtë i dallueshëm, prandaj edhe ekiston një rrëshqitje, që sigurisht në të ardhmen do të kërkojë ridefinim të gazetarit si koncept dhe profesion. Megjithatë, gazetarin e dallon kërkesa etike profesionale që ndjek thelbin e qëllimit të gazetarisë, për informimin e drejtë e publikut për të mundësuar dhe lehtësuar vendimmarrjen e publikut për jetën dhe shoqërinë ku jetojnë dhe formën e qeverisjes së duan. Këto ndryshime të jashtëzakonshme për shpërndarjen e informatës, shtrojnë edhe çështjen e definicionit të konceptit gazetar dhe medie. A është kjo e drejtë e veçantë e rezervuar për AGK? Vetëm për AGK!?

Prandaj, që në fillim të kësaj analize dua të bëj të qartë, respekti dhe admirimi dhe gatishmëria ime për mbrojtjen gazetare/ëve të angazhuar/aa, të dalluar/a me punën e tyre të vlefshme, që bëjnë punë profesionale e të përkushtuar, të mbështetur në etikën e gazetarisë, që me hulumtimet e tyre të guximshme dhe punën e tyre në kushte të rrezikut fizik për shëndetin dhe jetën e tyre, jo vetëm informojnë drejtë publikun por edhe bëhen një nga shtyllat e shoqërisë demokratike, është i sinqertë, i pathyeshëm e i pakthyeshëm dhe i parezervë.

Por t’i kthehem çështjes. Pse reagon AGK-ja me kaq ashpërsi? Cila është e vërteta këtu? Të nisim nga burimi i çështjes. Si burim i tërë “konfliktit” shërbejnë incizimet e bëra publike këto ditë nga biseda telefonike midis deputetes Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së dhe deputetit të Listës Serbe Igor Simiq, të zhvilluar në vitin 2022. “Konflikti” i sajuar kulmon me sulmin fizik të deputetëve të PDK-së ndaj anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe kryeministrit, në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës. Në ndërkohë bëhet thirrje publike për protestë të veteranëve të UÇK-së. Kush, pse, si dhe kur e bën thirrjen, që ishte shkak i reagimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kundërreagimit të AGK-së. Për të sqaruar në mënyrë të drejtë dhe të bazuar në dëshmi, nga fjalët e shkruara, do të shohim deklaratat veç e veç.

Vehbi Kajtazi shkruan: “Nese sheshet e Prishtines nuk mbushen me luftetare te UÇK-se, atehere e bajshin me shnet perçmimin e Mimoza Kusarit”. Kurse Berat Buzhala shkruan: “pergjigja e vetme normale ne kete situata eshte PROTESTA PAQESORE.“

E ministri Sveçla shkruan: “Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi”. Këtu ministri Sveçla konstaton një të vërtetë. Ndërsa AGK-ja reagon: “Gjuhë e rrezikshme e Ministrit Sveçla ndaj gazetarëve”. Çfarë ka këtu të rrezikshme? Cila fjalë në tekst, apo edhe në kontekst, e ministrit, këtu është e rrezikshme? Asnjë e vetme, as veç e veç, as si kontekst. Pra, AGK-ja këtu gënjen me dramatizim!

AGK-ja nuk merr mundin të tregojë se çfarë është e rrezikshme dhe e papranueshme në fjalinë e ministrit? Konstatimi i ministrit se “këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi”, është lehtë i dëshmueshëm nga deklarimet publike të këtyre personave: “Nese sheshet e Prishtines nuk mbushen me luftetare te UÇK-se,” (Vehbi Kajtazi), “pergjigja e vetme normale ne kete situata eshte PROTESTA PAQESORE.” (Berat Buzhala). Pra konstatimi i ministrit nuk mund të jetë “e rrezikshme dhe e papranueshme!” Cila nga fjalët në tekst apo edhe në kontekst, në konstatimin e ministrit Sveçla mund të cilësohet si “gjuhë e rrezikshme dhe e papranueshme“? Asnjë! AGK –ja këtu gënjen me dramatizim me qëllim penalizimi.

AGK-ja mbron në emër të mbrojtjes së gazetarisë personin Vehbi Kajtazi, i cili në faqen e tij personale në facebook, më 15.7.2023, shkruan: “Nese sheshet e Prishtines nuk mbushen me luftetare te UÇK-se, atehere e bajshin me shnet perçmimin e Mimoza Kusarit”. Është kjo gjuhë mediale dhe e një gazetari/eje? JO! Qartë është thirrje e një personi me urrejtje të qartë kundër Qeverisë së LVV-së. Thirrja për protestë dhe e drejta për protestë janë e drejtë e çdo qytetari e garantuar me Kushtetutë. Nuk është as gjuhë, as detyrë profesionale e gazetarit të nxisë urrejtje, thirrje për protestë me kauza të rrejshme. Ku qëndron këtu përçmimi? Ku qëndron këtu shkelja ligjore e Mimoza Kusarit? Ku qëndron këtu elementi i rrezikut? Ku i sheh këto elemente AGK-ja? Pra, AGK-ja mbron një person të rreshtuar qartë politikisht në anën e opozitës politike dhe jo një gazetar për profesionalizmin e tij.

Po ashtu AGK-ja mbron në emër të medieve e gazetarisë personin Berat Buzhala, i cili në faqen e tij personale në facebook, më 15.7.2023, shkruan: “– Xhelali dhe Albini nuk e dojne kete vend, nuk e kane deshte kurre dhe kurre nuk do ta dojne. Keta iken ju rezistuat. Keta sot po ju sulmojne, po ju ofendojne, po tallen me juve dhe me krejt neve, mirepo pergjigja e vetme normale ne kete situata eshte PROTESTA PAQESORE”.

Është kjo gjuhë e një gazetari?! Në këtë tiradë gjuhësore, hiq gabimet gjuhësore, nuk ka gjë tjetër veçse urrejtje, urrejtje, urrejtje patologjike të pakufishme. Është ky misioni, detyra dhe angazhimi profesional i mediave dhe i gazetarit?!

JO! Qartë është thirrje e një personi, jo vetëm me antipati të qartë partiake dhe kundër Qeverisë, por me urrejtje personale patologjike ndaj “Xhelalit dhe Albinit”. Thirrja për protestë dhe e drejta për protestë janë të drejta të çdo qytetari të garantuara me Kushtetutë. Por çfarë ka në këtë tiradë gjuhësore përveç urrejtje armiqësore? Ky person nuk i konsideron Xhelalin dhe Albinin madje as si kundërshtarë politikë, por si armiq të përbetuar! E kjo sˈështë as gjuhë, as detyrë, as mision profesional i gazetarit dhe i medieve!

Por, AGK-ja, në vend se të kapet për koke, kapet për bishti! Për t’i ikur pozicionit diskreditues, në të cilin ka rënë vetë, me deklaratat e veta publike, mohon diçka, që nuk mohohet. Ka thirrje për protestë nga personat e apostrofuar e të cituar! Kaq dhe pikë! Kjo është e drejtë e garantuar me kushetutë. Pse e pengon kjo AGK-në? A ka arsye për këtë thirrje. Pse duhet ta pengojë kjo AGK-në? AGK ka të drejtë të mbrojë edhe gjuhën e urrejtjes të të ashtuquajturve gazetarë. Po Ka të drejtë të shprehë edhe simpatinë për „gazetarët“ që urrejnë Xhelalin, Albinin dhe LVV. Por nuk ka të drejtë që publikut t‘i shesë „dushk për gogla“. Këtë nuk mund ta bëjë në emër të normës statutore dhe kodit të etikës. Madje, AGK nuk ka të drejtë që urrejtjen, dhe nxitjen e urrejtjes, gënjeshtrën, dezinformatën, nxitjen e konflikteve shoqërore e politike ta shesë si mbrojtje të gazetarëve dhe medieve! AGK nuk ka të drejtë të identifikojë gazetarët, mediet dhe gazetarinë me urrjetjen, dezinformimin, gënjeshtrën, nxitjen e konflikteve. Sepse kjo është kundër normës dhe etikës profesionale.

Përpjekja e këtij personi për ikje nga shpërfaqja kaq hapur dhe qartë e urrejtjes njerëzore, personale e politike ndaj Xhelalit e Albinit, si perfaqësues institucionalë e politikë, me shpallje dashurie selektive “Te dashtun kolege gazetare, pjesetare te shoqerise civile, parti opozitare, diplomate te huaj: -Eshte hera e pare qe ministri i Puneve te Brendshme sulmon kaq brutalisht dhe kaq pa fakte gazetaret. Xhelali nuk po na sulmon ne mediat, po ju sulmon ju. Po e blen heshtjen e juje.”, kjo nuk është tjetër veçse përpjekje për fshehje të urrejtjes patologjike personale pas medieve, gazetarëve, shoqërisë civile, opozitës e diplomatëve. Gjuaj gurin si Berat, e fshih dorën si gazetar, pas medieve, gazetarëve, shoqërisë civile, opozitës e diplomatëve, është ves i qyqarllëkut njerëzor, i një nxitësi primitiv të konflikteve shoqërore. E populli me të drejtë i vlerëson këta njerëz: “Më i keq gërgasësi se dorasi!”.

Ministri Sveçla tutje konstaton se thirrjen për protestë e bëjnë “në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së”. Çfarë apo cila nga fjalët në tekst apo edhe në kontekst, në konstatimin e ministrit Sveçla mund të cilësohet si e rrezikshme, e papranueshme, apo e pavërtetë? Asgjë e asnjë! Ky është një konstatim gjuhësisht dhe shprehimisht i vërtetë dhe i saktë. AGK-ja duhet të tregojë çfarë është këtu “gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të medieve dhe gazetarëve.“?! Pse, si dhe në cilat dëshmi e mbështet këtë cilësim AGK-ja? Nëse nuk ka dëshmi, dhe vërtet nuk ka, atëherë duhet konstatuar se AGK-ja po hedh benzinë në zjarrin e ndezur nga dikush tjetër, me qëllim të rrezikshëm. Pra, AGK-ja, jo vetëm po gënjen, por edhe po nxit.

Të shohim mëtutje. Ministri Sveçla deklaron: “të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”. Çfarë ka këtu të pavërtetë? Asgjë, mirëpo jo të gjithë e dinë këtë. Por për ata, që i përcjellin këto çështje, e AGK-ja i përcjell dhe i ka të ruajtura, është e vërtetë se këta dy persona kanë dhënë deklarata publike:“UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”. Këtu nuk ka asgjë të pavërtetë. Nëse e kërkon AGK-ja, mund të nxirren lehtë të gjitha deklaratat e tyre publike për UÇK-në. Kjo është punë e lehtë kërkuese në ditët e sotme.

Lexo më shumë  Deklaratat e dy nënkryetarëve të LDK-së në çdo vend të botës do të cilësoheshin si tradhëti kombëtare

Atëherë, cila fjalë veç e veç, apo edhe në kontekst, këtu është e pavërtetë, apo “gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të mediave dhe gazetarëve.”? Në këtë tekst askund nuk përmenden mediet dhe gazetarët. Ky është një konstatim lehtë i dëshmueshëm ku përmenden dy emra të përveçëm të personave fizikë, që kanë bërë deklarata publike, se “UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”, e që bëjnë thirrje publike për protesta. Kaq është e vërteta e tërë. Thirrja publike nuk është bërë nëpërmjet medieve, por në cilësinë e personave fizikë. Këtu AGK-ja qëllimisht fut në lojë mediet dhe gazetarët, për të mbrojtur nxitës të konflikteve shoqërore.

AGK-ja vazhdon më tej: “Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur dhe është pjesë e tentimit të vazhdueshëm të pushtetit për të frikësuar mediet”. Mirëpo AGK-ja nuk tregon se si “Gjuha e tillë rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur” dhe nuk tregon se si duket konkretisht “[tendenca e vazhdueshme] e pushtetit për të frikësuar mediet“. Kjo është vërtet një tendencë keqdashëse e AGK-së për të penalizuar një deklaratë publike të ministrit Sveçla, ashtu siç bën zakonisht kur janë në pyetje anëtarët e LVV-së. Këtu AGK-ja nuk mund të identifikojë asnjë fjalë veç e veç apo edhe në kontekst, që “rrezikon sigurinë e gazetarëve të përmendur” apo dëshmon tendencën e vazhdueshme “të pushtetit për të frikësuar mediet”. Nëse AGK-ja nuk sjell dëshmi, e të tilla nuk ka, sepse ato nuk ekzistojnë, veçse në kokën e AGK-së. Kjo është një akuzë shabllon dhe paushalle e AGK-së për penalizim publik, por jo ligjor, të LVV-së. Kjo akuzë vërtet në vazhdimësi përdoret kundër LVV-së, Qeverisë së tanishme dhe çdo personi, që shpreh simpati për LVV-në. Pra, AGK-ja gënjen, akuzon për penalizim, me shabllon dhe paushall!

Si dhe ku gjen AGK-ja këtu “gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të medieve dhe gazetarëve“, nuk tregon, sepse edhe nuk ekziston! Kjo gjuhë e rrezikshme dhe e papranueshme gjendet vetëm në dioptrinë politike dhe joprofesionale të AGK-së, që mizën e bën buall, e buallin përpiqet ta fshehë pas konstruktit gjuhësor të shabllonizuar: “gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të medieve dhe gazetarëve.“ Ky as është misioni, as detyrimi normativ, profesional e shoqëror i AGK-së.

AGK-ja mat me dy kute të ndryshme, qartë, hapur dhe pa skrupulla. Nëse vërtetë i konsideron dhe i trajton si gazetarë personat e përmendur, atëherë shkel mbi normat elementare të gazetarisë si funksion shoqëror, që “të bëjnë të gjitha që munden për të mos nxitur apo ushqyer urrejtje dhe pabarazi” (Neni III, par. 2 i Kodit). Përndryshe, si e cilëson këtë deklarim publik “Xhelali dhe Albini nuk e dojne kete vend, nuk e kane deshte kurre dhe kurre nuk do ta dojne.” Me gjasë, për AGK-në, ta përdorim pak gjuhën e pajtimtarëve politikë të AGK-së, kjo është shpallje performative artistiko-gazetareske e dashurisë apo…?! Për AGK, kjo gjuhë është gjuhë e gazetarëve dhe medieve! Madje, për AGK-në, duket maja e gjuhës së gazetarisë dhe e profesionalizmit! Këtë opinion e mbron AGK-ja!! AGK-ja pajtohet me këtë gjuhë. Së paku nuk dëshmon për ndonjë mospajtim publik. Pra, për AGK-në kjo gjuhë është në rregull! Për AGK-në kjo është gjuhë profesionale e një gazetari, prandaj e mbron gjoja sipas detyrimit statutor: “AGK reagon në raste kur sulmohen, qoftë fizikisht apo verbalisht, fyhen, linçohen, kërcënohen, etiketohen gazetarët, kameramanët, fotoreporterët, lidhur me punën profesionale të tyre” (Neni 15, par. 3, Statuti i AGK). Pyetje për AGK-në: A është kjo deklaratë punë profesionale, rrjedhimisht, gjuhë profesionale e gazetarit? Nëse nuk është dhe nëse për AGK-në vlen parimi, se: «Gazetarët dhe redaktorët nuk do të inkurajojnë, qëllimisht apo tërthorazi, diskriminimin dhe jotolerancën» (Neni I, par. 3 i Kodit), a ka këtu ndonjë element, që duhet të shqetësojë AGK-në?

Që në fillim duhet sqaruar se, pjesa e cituar në paragrafin paraprak nuk është as informatë e as lajm, por sipas Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës (që njihet si Kodi i gazetarisë), është opinion. Opinioni duhet dalluar qartë e prerë nga lajmi. Megjithëse gazetarët nuk duhet “të veprojnë si përfaqësues të opinionit publik.” (Neni I, paragrafi 4 i Kodit) dhe opinionet e gazetarëve janë të lejueshme, madje të dëshirueshme, mirëpo “Duhet të bëhet dallim i qartë ndërmjet lajmeve dhe opinioneve”. (Neni II, par. 4 i Kodit), sepse opinionet, sipas këtij kodi, “bartin mendime, ide, besime apo gjykime vlerësuese” (Neni II, paragrafi 4 i Kodit). Pyetja për AGK-në është, megjithëse i lejuar sipas Kodit, çfarë opinioni është ky: “Xhelali dhe Albini nuk e dojne kete vend, nuk e kane deshte kurre dhe kurre nuk do ta dojne”? A pajtohet AGK-ja me tekstin dhe kontekstin e kësaj deklarate?

Pra, bazuar në reagimin publik, AGK-ja këtë gjuhë: “Xhelali dhe Albini nuk e dojne kete vend, nuk e kane deshte kurre dhe kurre nuk do ta dojne”, këto ide, këtë qasje, këto besime apo gjykime vlerësuese dhe këtë qëndrim e mbron! Pse? Nëse AGK-ja nuk e sqaron këtë, atëherë, me gjasë të madhe, kanë përputhje absolute në mendësi, ide, qasje, besime, gjykime vlerësuese dhe qëndrime. Kjo, përfundimisht, nuk përkon me misionin e AGK-së dhe me parimet e Kodit, sepse “Gazetarët dhe redaktorët do të respektojnë parimet etike në vijim dhe do të mbrojnë integritetin profesional të gazetarisë” (Preambula e Kodit). Mirëpo, AGK-në, siç duket, nuk e obligon asnjë kod etik, nëse I njohin konceptet kod dhe etikë.

Po t’i krahasojmë për nga përmbajtja, qoftë fjalë për fjalë, qoftë në kontekst gjuhësor, nisur nga konteksti aktual shoqëror, politik, moral e normativ deklaratat e cituara, sjellja, reagimet e AGK-së “flakë për flakë”, sidomos në rastet kur përmendet apo edhe vetëm aludohet LVV-ja, fatkeqësisht lehtë mund të vërehet se interpreton njëanshëm qëllimin e vet parësor të normuar në Statutin e AGK-së, që e obligon, jo vetëm “të mbrojë të drejtat dhe liritë e gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve,”, por edhe “të promovojë gazetarinë e lirë, hulumtuese, të pavarur dhe profesionale”, si dhe respektimin e “kodit profesional të sjelljes (kodin e etikës) me qëllim të ngritjes së vetëdijes së anëtarësisë sonë për etikën profesionale” (Neni 2, par. 1 i Statutit të AGK-së).

A është rastësi kjo sjellje e AGK-së? Për këtë të shohim vetëm disa fakte dhe përvoja. Konstatimet kuturu, qëllimisht damkosëse, denigruese, diskriminuese, njollosëse, përbaltëse, siç i bën AGK-ja, nuk janë as të rastësishme, as profesionale, as dobiprurëse, as të dinjitetshme, e në asnjë mënyrë etike.

Prej vitit 2016, që kur AGK-ja ka filluar të merret me LVV-në dhe me anëtarët e saj, kjo mund të shihet e dëshmohet lehtë në webfaqen e AGK-së, së paku 26 herë ka lëshuar komunikata, reagime publike e deklarata në stilin e fletërrufeve kundër LVV-së, anëtarëve të saj dhe së fundmi, nga viti 2021, kundër Qeverisë së LVV-së. Shikuar në aspektin statistikor kjo përbën 100% më shumë deklarata publike nga AGK-ja kundër LVV-së, se sa ndaj të gjitha partive politike së bashku, në periudhën 2016 – 2023!

Nga këto 26 shpërfaqje publike kundër LVV-së, kemi të bëjmë me reagime publike të AGK-së kundër shkrimeve publike të anëtarëve të LVV-së, në rolin e zyrtarëve partiakë, e në 4 raste edhe si zyrtarë institucionalë. Në të gjitha rastet, përveç një rast i vetëm, sipas kategorizimit paushall të AGK-së, kemi të bëjmë me të ashtuquajtura kërcënim dhe kërcënim verbal (7 raste), sulm apo sulm verbal (2 raste), pengim në ushtrimin e detyrës (1 rast), presion (1 rast), gjuhë nënçmuese (1 rast), gjuhë denigruese apo gjuhë linçuese, denigrim apo linçim (14 raste), pa i llogaritur rastet e shpifura/trilluara me aludime për sulme apo tentim-sulmi ndaj gazetarëve.

Po të shohim definimin normativ dhe gjuhësor të këtyre koncepteve të përdorura nga AGK-ja, ashtu siç është bërë me ligjet në fuqi, qartë dhe në mënyrë të dëshmuar mund të konstatohet se përdorimi i këtyre koncepteve nga AGK-ja nuk ka as bazë normative, as bazë profesionale dhe as bazë morale e shoqërore. Pra, kemi të bëjmë me përdorim paushall të gjuhës denigruese, diskriminuese, damkosëse, njollosëse e përbaltëse të AGK-së, pa asnjë bazë profesionale, normative, morale e shoqërore.

Se përdorimi i këtyre koncepteve kërcënim, kërcënim verbal, sulm, sulm verbal, pengim në ushtrimin e detyrës, presion, gjuhë nënçmuese, gjuhë denigruese, gjuhë linçuese, denigrim apo linçim është krejtësisht arbitrar, gjuhësisht dhe ligjërisht i pabazë, mund të vërehet fare lehtë me analizën e teksteve të reagimit, arsyeve për reagim dhe cilësimit të veprimit nga AGK-ja. Hiq konceptin pengim në ushtrimin e detyrës, që, edhe pse nuk është i sqaruar hollësisht, mund të klasifikohet si një veprim konkret i definuar gjuhësisht, të gjitha cilësimet e tjera me koncepte të ndryshme, siç janë cituar më lart, mund të përmblidhen në një togfjalësh të vetëm gjuhësor, konflikte komunikative. Në asnjë rast nuk kemi ndonjë veprim konkret, larg kërcënimit të drejtëpërdrejtë për përdorimin e forcës e deri në rrahje e vrasje, ashtu siç e dinë në AGK, nga e kaluara dhe e tashmja e partive të tjera politike, në të gjitha pjesët e Kosovës. LVV-ja nuk kërcënon, nuk shantazhon, nuk blen, nuk shet, nuk korrupton, nuk rrah, nuk gjymton dhe nuk vret gazetarë. Pikë! Veprime të tilla AGK-ja mund të vërejë, ashtu siç edhe i di, në mesin e bosëve të partive politike të opozitës, organizatave të tjera, madje dhe të disa medieve në Kosovë, që e mbajnë AGK-në të ngulfatur. Kaq është e vërteta!

Lexo më shumë  Deklaratat e dy nënkryetarëve të LDK-së në çdo vend të botës do të cilësoheshin si tradhëti kombëtare

Shqetësimi i AGK-së nga konfliktet komunikative, që janë pjesë përbërëse e aksionit komunikativ, me ndonjë anëtar apo zyrtar të LVV-së (unë personalisht jam rasti më i shpeshtë për AGK-në), është pasojë e përvojës së krijuar nga të tjerët për shkak të animalizimit të komunikimit njerëzor, që ka përfunduar me ndëshkime fizike. Ky është problem shoqëror dhe kulturor si pasojë e socializimit të anëtarëve të AGK-së. Anëtarët e AGK-së nuk e kanë kuptuar ndryshimin paradigmatik midis partive politike, praktikave dhe sjelljes së tyre kundruall të tjerëve, përfshirë gazetarët dhe mediet. Po, LVV-ja reagon në aspektin e komunikimit intelektual, por nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë komunikimin e animalizuar. Pse nuk do ta pranojë AGK-ja këtë fakt dhe nuk do të dalë nga ky kurth i vetëkrijuar?

Shikuar realisht, duke pasur parasysh këtë arbitraritet konceptual të AGK-së, nuk mund të mos vërehet kërkesa implicite e eksplicite e AGK-së për krijimin e monopolit në lirinë e shprehjes. Ajo, që shihet qartë e hapur është se AGK-ja kërkon pa mëdyshje të kufizojë, nëse jo ta ndalojë tërësisht lirinë e shprehjes për çdo njeri, veçanërisht për ata, që në çfarëdo mënyre mund të shfaqin ndonjë shenjë afërsie, qoftë edhe aluzive, me LVV-në. E mundësisht AGK-ja kërkon shprehimisht e përbrendësisht, që kjo t’u ndalohet të gjithë atyre njerëzve, që nuk pajtohen me keqpërdorimin brutal e banal të koncepteve, gazetar, medie, analist. E nëse analizohet çdo rast veç e veç, konceptet gazetar, medie e analist, fatkeqësisht AGK-ja i redukton në pronarët, drejtorët e kryeredaktorët, me një fjalë te bosët e disa medieve të caktuara në Kosovë, ku në asnjë mënyrë nuk përfshihen gazetarët në përgjithësi, e në asnjë rast gazetarët/et e njëmendtë, të mirë, hulumtues, punëtorë, që përbëjnë krenarinë e gazetarisë e të mediave. Kjo dëshmon për reduktim, minimizim dhe sakatosjen të koncepteve gazetar e medie në sekte të privilegjuar njerëzish, që kanë monopolizuar lirinë e shprehjes, ashtu siç e mbron e promovon vetë AGK-ja. Pikërisht kjo është arsyeja e impotencës së brendshme të AGK-së, për të vendosur për respektimin e normave të kodit të etikës së gazetarisë, në njërën anë të medaljes. Në anën tjetër të medaljes kemi prepotencën e AGK-së së jashtmi, jo për drejtësi por për të sanksionuar të drejtën për monopol në lirinë e shprehjes.

Nisur nga kjo me lehtësi mund të vijmë në përfundim se në më se 60% të rasteve AGK-ja dënon formalisht LVV-në si subjekt politik dhe anëtarët e saj si individë për gjuhë denigruese apo gjuhë linçuese, denigrim apo linçim. Pa hyrë në diskutimin për përdorimin e pa/drejtë të këtyre koncepteve, në asnjë nga rastet AGK-ja nuk sqaron se reagon ndaj reagimeve publike të anëtarëve të LVV-së, të cilët kanë reaguar ndaj paraqitjeve publike në media, të personave në cilësinë e gazetarit/ve, analistit/ve, që përhapin të pavërteta, gënjeshtra, informata të shtrembëruara, të pasakta, që bëjnë sulme mediale, publike ndaj personave fizikë me emra të përveçëm, duke shkelur Kodin: “Gjatë punës së tyre, gazetarët dhe redaktorët do të sigurojnë respekt për të vërtetën faktike dhe për të drejtën e publikut që ta dijë të vërtetën” (Neni II, par. 1).

E për të paraqitur pasqyrën e plotë, disa nga këto medie, që dihen e njihen edhe nga vetë AGK-ja, më shumë se njëherë kanë përhapur qëllimisht dhe me vetëdije të plotë lajme dhe informata të rreme, të pavërteta, denigruese, diskredituese, përbaltëse e njollosëse ndaj LVV-së si parti politike dhe ndaj individëve – anëtarëve të LVV-së, qoftë në cilësinë e zyrtarëve institucionalë apo partiakë. Madje ka raste të veçanta kur AGK-ja, pa asnjë arsye ka reaguar kundër personave fizikë të caktuar, në mënyrë selektive dhe diskriminuese, me akuzën dhe cilësimin e rrejshëm për personin se është anëtar/e apo simpatizant/e i/e LVV-së, duke njollosur personalitetin e personit dhe duke ia cenuar dinjitetin njerëzor! Kjo është e pafalshme. Edhe më keq, madje AGK-ja ka sulmuar LVV-në ose anëtarët/simpatizantët e saj edhe në rastet kur një i ashtuquajtur gazetar (rasti më 21 mars 2020) ka simuluar tentim sulmi fizik dhe për sulmuesit ka aluduar á priori në anëtarët/simpatizantë e LVV-së. AGK-ja reagon ashpër kundër LVV-së. Pra, njollosje e rrejshme e LVV-së, por me ndihmën e AGK-së.

Rrjedhimisht, në asnjërin nga këto raste të publikimeve mediale, kryesisht portale elektronike, në cilësinë e bizneseve private, nuk është respektuar “E drejta për t’u përgjigjur”, që do të duhej “t’u mundësohet personave përkatës” (Neni IV, par. 2 i Kodit), si dhe nuk është mundësuar kundërshtimi publik nga personat e shënjestëruar, ashtu siç është detyrim normativ i medieve “që të botojnë reagime dhe/ose demante kur mediat publikojnë informata të pasakta për një individ apo organizatë” (Neni IV, par. 1 i Kodit), për të treguar të vërtetën, kundërshtuar dezinformatën apo informatën e shtrembëruar apo të pasaktë. Ndërsa, reagimet e personave të shënjestëruar e sulumuar në kapacitetin personal e individual, kryesisht nëpërmjet rrjetit social facebook, nga AGK-ja janë trajtuar si reagime/veprime partiake në emër apo në rastin më të keq, si të porositura nga LVV-ja. Pra, reagimet e AGK-së nuk kanë qëllim sulmi personin e caktuar, por subjektin politik, LVV-në. Fatkeqësisht, kjo shihet dhe është e dëshmueshme qartë edhe në të gjitha reagimet e tjera të AGK-së, që i cilëson si sulme, kërcënime, presione etj.

Nga analiza e veprimeve të AGK-së, nga këndvështrimi im personal (nuk po shpresoj se nuk e sulmojnë sërish LVV-në, edhe në këtë rast), ka disa shtigje nëpër të cilat po ecën AGK-ja. Së pari, arbitrariteti konceptual në cilësimet e të tjerëve, siç u sqarua më lartë. Së dyti, përpjekja për krijimin dhe betonimin e zonës së monopolit për lirinë e shprehjes publike, po ashtu e sqaruar më lartë. Së treti, përpjekja e gabuar për vijimin e konfliktit të animalizuar ndërnjerëzor e shoqëror. Dhe, së fundmi përpjekja për përcaktimin e agjendës politike institucionale nëpërmjet veprimit destruktiv të disa mediave dhe gazetarëve.

Si një OJQ, AGK-ja ka të drejtë të reagojë sa herë e si të dëshirojë, madje edhe të bëjë përpjekje që të ndikojë në caktimin e agjendës politike institucionale dhe në krijimin e narracionit për zhvillimet politike. Të drejtën për caktimin e agjendës politike institucionale në kuptimin demokratik nuk e posedon, sepse këtë të drejtë e kanë subjektet politike, që kanë garuar për këtë çështje me platformat e tyre. Nga 14 shkurti 2021 këtë agjendë e cakton LVV-ja dhe jo opozita, as mediet e as AGK-ja. Kjo nuk mund të bëhet as me deklarata publike me qëllim presioni. Por kjo nuk e ndalon lirinë e shprehjes dhe të drejtën e kritikës, në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë. Përkundrazi, paradigma e konfliktit komunikativ, të cilën fatkeqësisht AGK-ja nuk e njeh, edhe pse do të duhej të ishte thelbi i misionit të saj, e motivon, e nxit dhe e përkrah thelbësisht gazetarinë dhe mediet profesionale.

Mirë është tˈi tregojë AGK-ja publikut, cilat janë dëshmitë, faktet dhe arsyet për këtë mbrojtje të “medieve dhe gazetarëve”, me akuza paushalle të banalizuara deri në absurd ndaj Qeverisë dhe LVV-së? Apo pas këtyre reagimeve fshihet afiniteti, simpatia, përkatësia ideologjike, politike e shoqërore e AGK-së me personat në fjalë, opozitën dhe OJQ-të e tjera, që hapur kanë qëndrim kundër LVV-së. Kjo duket hipoteza më e vërtetë.

Pra, krejt në fund, AGK-ja, duke shkelur normat elementare të gazetarisë si funksion shoqëror, që kërkojnë shprehimisht, që “Shtypi, portalet dhe agjensitë e lajmeve nuk do të nxisin veprime kriminale apo të dhunshme, pavarësisht nga situata apo rrethana” (Neni III, par. 1 i Kodit), hapur, qartë e pamëdyshje, është në mbrojtje të krimit të organizuar nga pushtetet e kaluara në Republikën e Kosovës.

Për të bërë një krahasim përmbajtësor, qoftë fjalë për fjalë, qoftë në kontekst, nisur nga rrethanat aktuale shoqërore, politike, normative e morale, po ua lë vetë lexuesve të nxjerrin përfundimet dhe të bëjnë vlerësimin dhe cilësimin e tyre.

Punë të mbarë e shëndet!

– Ministri Xhelal Sveçla: “Është edhe më e çuditshme që këtë protestë e kanë thirrur Berat Buzhala e Vehbi Kajtazi në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, kur të gjithë i dijnë deklaratat e tyre publike se UÇK-ja ka kryer krime lufte në Kosovë”.

– AGK: “Gjuhë e rrezikshme e Ministrit Sveçla ndaj gazetarëve Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka parë me shqetësim një postim të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilin ai përdorë gjuhë të rrezikshme dhe të papranueshme në drejtim të medieve dhe gazetarëve”.

– Vehbi Kajtazi: “Nese sheshet e Prishtines nuk mbushen me luftetare te UÇK-se, atehere e bajshin me shnet perçmimin e Mimoza Kusarit”.

– Berat Buzhala: “– Xhelali dhe Albini nuk e dojne kete vend, nuk e kane deshte kurre dhe kurre nuk do ta dojne. Keta iken ju rezistuat. Keta sot po ju sulmojne, po ju ofendojne, po tallen me juve dhe me krejt neve, mirepo pergjigja e vetme normale ne kete situata eshte PROTESTA PAQESORE”.

Ky shkrim paraqet pikëpamjet personale të autorit dhe jo të ndonjë mediumi, organizate, përfshirë edhe LVV.

Prishtinë, 28 korrik 2023

Rruga Press

YouTube player