Kurti: E logjikshme që masat të hiqen para zgjedhjeve të reja
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është e rendit logjik që masat e vëna nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës të hiqen para se të vijë koha e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të vendit.
Ai ka thënë se marrëveshja që zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka arritur me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka të bëjë për deeskalim e se “s’beson që ndokush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të kemi zgjedhje në veri”.
“Ne natyrisht që vazhdojmë punën. Po përgatitemi që të ketë zgjedhje të parakohshme në veri e për këto masat që janë marrë ndaj nesh e që janë quajtur të përkohshme e të kthyeshme, natyrisht që presim që të hiqen sa më parë e është e logjikshme që kjo të ndodhë paraprakisht. S’bëhet fjalë për kushtëzime, por për rend logjik të gjërave që duhet ta ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit e Lajçakut për 3 qershorin, i realizuar në Bratislavë dhe e krijon normalitetin minimal për zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën.
Për takim me kryetarët e komunave në veri, ai ka thënë se i njeh e se kur i takon u thotë që “kur ecën rroga duhet të dilet në punë”.
“Unë mund t’i takoj, por nuk e di sa është i këndshëm takimi me mua sepse kur takohen me mua, unë ju them njerëzve shkoni në punë e jo mos shkoni. Problemi me nuk është a ka a s’ka takim, por është që unë them se duhet me shku në punë se po të ec rroga. Kur të ec rroga, duhet me shku në punë. E këtu ndoshta është njëlloj vështirësie dhe dallimi me kryetarin e partisë që ka zhvilluar takim të këndshëm atje”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se nuk është i kënaqur në përgjithësi me punën e Prokurorisë, kur është pyetur për lirimin e serbëve të dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve e autoriteteve në veri.
Kurti ka thënë se nuk është i informuar për hetimet nga task-forca antikorrupsion ndaj pesë ministrave të Qeverisë së tij. Informata ka thënë se s’ka pas ministri Elbert Krasniqi, që është raportuar si një nga ministrat që po hetohen.
Rruga Press