“Kampi Belvedere” nga sot do të mbajë emrin e policit hero, Enver Zymberit
Janë bërë 12 vjet nga aksioni i 25 dhe 26 korrikut i Policisë së Kosovës në veri të vendit. Aksioni për shtrirje të sovranitetit në atë pjesë të Kosovës, nuk kishte shkuar i gjithi sipas planit. Pas një sulmi me snajper, kishte mbetur i vdekur polici Enver Zymberi. Megjithatë, ky aksion po vlerësohet si pikënisje e shtrirjes së sovranitetit në komunat veriore të Kosovës.
Dy muajt e fundit nuk ishin të vetmet të tensionuara në veri të Kosovës.
Përball një sfide policët e Kosovës ishin gjendur edhe 12 vite më parë kur nisi një prej aksioneve të para për shtrirje të sovranitetit në veriun e vendit, për të marr në kontroll pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Mirëpo, rruga për të përfunduar këtë aksion ishte tragjike.
Rrugës për në pikën kufitare në Bërnjak u gjuajt me armë mbi Policinë e Kosovës, ku një nga plumbat përfundoi në kokën e policit, Enver Zymberi.
Ai ishte dërguar në Spitalin e Mitrovicës së Jugut, pranim e të cilit e kishte bërë doktori Nuredin Fazliu.
Edhe tash pas 12 viteve Fazliu kujton se në çfarë gjendje ishte dërguar Enver Zymberi në spital.
“Plumbi ka qenë në kokë, regjioni i majtë tek ashti i mollëzës të faqes dhe vijimi ka qenë deri tek unaza 2-3 qafore. Edhe gjuha ka qenë e atakuar d.m.th ka qenë veç një si rrypë apo dizgë e kapur”.
Tentimi për ta kthyer në jetë Zymberin ishte i shpeshtë.
“Ka qenë pa shenja jete, i kemi dhënë të gjitha masat reanimative urgjente, disa herë ja kemi kthy aksionin e zemrës e disa herë është ndalu”.
Prezent në momentin kritik ishte edhe Halit Berani nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ai madje kishte siguruar fotografinë nga momenti kur Zymberi ishte duke u trajtuar.
“Unë isha aty prezent, e kam bërë incizimin dhe fotografinë, por pa sukses sepse ishte plaga shumë e rëndë dhe ishte në vend të keq, në kokë, përkatësisht në boshtin kurrizor të qafës dhe më vonë kanë ardhur KFOR-i me helikopter e prej Spitalit të Mitrovicës e kanë dërguar për në Bonstil ku atje edhe ka ndërruar jetë”.
“Kampi Belvedere” në Mitrovicë nga data 26 korrik do të mbajë emërim të ri e që sipas burimeve të Dukagjinit do të mbajë emrin e policit Enver Zymberi.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, pllaka e emërimit bëhet në ditën memoriale të policëve të rënë në detyrë.
Rruga Press