Lajme

VV-ja në Prishtinë akuzon kryetarin e komunës, se po shpërfill vendimet për ndërmarrjet publike

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka akuzuar kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe partitë në pushtet se po shpërfillin vendimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ndërmarrjet publike dhe se po përpiqen ta pengojnë qasjen e opozitarëve në objektet e ndërmarrjeve.

Ditë më parë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i ka shpallur të pavlefshme vendimet që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike i kanë ndërmarrë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku u shkarkua kryesuesi Fehmi Kupina dhe pushteti riktheu anëtarët e vet në bordet e ndërmarrjeve publike.

Gëzim Sveçla, kryetar i Grupit të asamblistëve të VV-së në Prishtinë, ka thënë në një konferencë për media të martën se kanë hasur në pengesa në qasjen në Trafikun Urban e te Ndërmarrja Publike Banesore.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

“Kryetari Rama është duke sfiduar ligjin me këto vendime duke zgjedhur jashtëligjshëm. Ne i kemi vizituar disa nga ndërmarrjet. Në trafikun Urban kam qenë unë, ku fillimisht na është refuzuar hyrja, e pastaj nuk na ka pritur askush. Problematike ka qenë në Ndërmarrjen Publike Banesore ku fizikisht jemi penguar të hyjmë atje gjatë ditës së djeshme”, ka thënë Sveçla në konferencë.

Ndërsa Arianit Beqiri, që më 8 qershor u zgjodh aksionar i NPB-së, pasi opozita mori shumicën në Asamble, ka thënë se nuk u është lejuar të hynin në mbledhjen e thirrur të hënën.

“E dje të zgjedhurit e jashtëligjshëm kanë kërkuar nga policia që t’i ruajnë këto hapësira. E policia ka rënë në lajthitje nga komuna. Ne do të ankohemi në gjykatë për personat e PDK-së, dhe në inspektoratin policor për zyrtarët policor. NPB-ja ka humbje deri në 4 milionë euro. Është e qartë se PDK-ja nuk di të menaxhojë, por vetëm të keqpërdorë”, ka thënë Beqiri.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Që nga mbledhja e 8 qershorit, Asambleja e Prishtinës është kthyer në arenë ping-pongu. Fillimisht opozita mori shumicën duke kthyer kah vetja votën e kryesuesit Fehmi Kupina dhe duke shkarkuar aksionarët e duke emëruar të rinj. Më pas, LDK-ja e PDK-ja në pushtet morën shumicën duke anuluar vendimin e opozitës. Por këtë vendim të ri të LDK-së e PDK-së, MAPL-ja e shpalli të pavlefshëm duke thënë se seanca konsiderohej e përfunduar.

Rruga Press

YouTube player