U tha se Bislimi “nuk u pranua” në takimin e Tiranës – reagon këshilltari i tij: Spekulim, nuk ka pasur konfirmim për pjesëmarrje
Klisman Kadiu, këshilltari për media i zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka reaguar lidhur me raportimet se zv.kryeministri është “përzënë” nga takimi joformal i liderëve të rajonit që do të mbahet sot në Tiranë.
Ai ka thënë gjithashtu se nuk ka pasur konfirmim zyrtar për pjesëmarrje të Bislimit në këtë takim.
“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar. Meqë nuk ka pasur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij”, ka shkruar Kadiu.
Kadiu ka shtuar se raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij.
ABC News, ka raportuar se në takimin e liderëve rajonit në Tiranë nga Qeveria e Kosovës ishte konfirmuar ardhja e zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi.
Sipas këtij mediumi takim i Bislimit me krerët e rajonit nuk do të jetë i mundur për shkak të protokollit.
Zëvendëskryeministrit të Kosovës i është komunikuar nga organizatorët e takimit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me poste të sigurt qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit.
Rruga Press