Lajme

Kush është Ahmet Ismaili, guvernatori i ri i Bankës Qendrore të Kosovës?

Ahmet Ismaili është zgjedhur ditën e enjte guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës,  Ismaili mori 56 vota.

Sipas procedurave, emri i guvernatorit të BQK-së do të shkojë për dekretim të presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Por kush është Ahmet Ismaili, guvernatori i ri i Bankës Qendror të Kosovës?

Ahmet (Vehbi) Ismaili u lind në Podujevë, ku e ka kryer edhe shkollën fillore dhe te mesme.

Studimet universitare i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Ekonomik, në Drejtimin Banka dhe Financa, me ç’rast për rezultatin e lartë të studimeve mori edhe çmimin ‘Student i Dalluar’ nga Universiteti i Prishtinës.

Është doktor i shkencave ekonomike, në drejtimin Banka dhe Financa, po në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Karriera e tij profesionale përmban mbi 18 vjet përvoje pune profesionale dhe në nivele të larta drejtuese dhe me rezultate të rëndësishme, në industrinë financiare dhe sektorin publik.

Karrierën profesionale e filloi në moshën 21 vjeçare, si bankier, të cilën e vazhdoi me rritje graduale në pozite deri në nivelet më te larta menxheriale, në banka dhe sigurime, e deri tek pozitat me të larta drejtuese në sektorin publik, siç është ajo e Drejtorit te Thesarit te Shtetit, për një mandat të plotë. Ishte anëtar i Komitetit Kombëtar të Pagesave në BQK.

Ai pati rastin të përfaqësojë në nivelet më të larta Republikën e Kosovës, duke prezantuar vendin në institucionet kryesore financiare ndërkombëtare. Mori pjese në takimet dhe sesionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, Thesareve dhe Bankave Qendrore të shteteve të rajonit e me gjerë, duke përfshirë prezantime nga rajoni deri në Shtetet e Bashkuara.

Ka kontribuar në procese të rëndësishme shtetërore në financa publike dhe me gjerë, duke përfshirë edhe fushën e sigurisë, ndërsa posedon leje të sigurisë me nivelin ‘sekret’ të lëshuar nga AKI.

Aktualisht, është Drejtor Menaxhues dhe Anëtar Bordi i institucionit të pavarur Fondi i Kosovës për Efiçience të Energjisë, ndërsa paraprakisht ishte edhe Anëtar Bordi dhe Anëtar i Komitetit te Auditimit në Fondin për Sigurimet Shëndetësore.

Sa i përket anës akademike, ka përvoje si ligjërues rreth 8 vite në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin Ekonomik, si dhe Universitete tjera të akredituara në Kosovë, si në nivelin e bachelor dhe master, në lëndet si: banka dhe afarizëm bankar, menaxhmeti financiar, analize financiare, etj.

Paralelisht gjatë 16 viteve ka qenë i angazhuar herë pas herë si trajner i lartë i certifikuar – ekspert i Shoqatës se Bankave të Kosovës, me ç’rast në kuadër të Qendrës së Trajnimeve ka trajnuar dhe certifikuar me qindra bankiere të bankave të ndryshme në Kosovë.

Gjithashtu, ka punuar si ekspert dhe konsultent i institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, si Ekspert për financat publike në Qendrën për Ekselencën Financiare (CEF) me seli në Lubjane të Sllovenisë si dhe kompani amerikane financiare me seli në Washington D.C.

Z. Ismaili është i martuar, jeton në Prishtine me nënën, bashkëshorten dhe tre fëmijët”.

Rruga Press

Lexo më shumë  Drejtoresha që e lidh bandën e Suel Çelës drejtpërdrejt me Ramën
YouTube player