Zbulohen 138 telefonata dhe mbi 3 mijë sms të Ahmetajt me Mirel Mërtirin
Teksa është mbledhur Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve për të diskutuar kërkesën e SPAK për arrestimin dhe kontrollin e banesës së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Kërkesa prej 12 faqesh drejtuar Kuvendit ka mbërritur ditën e djeshme në zyrat e Kryesisë dhe aty janë renditur arsyet përse sipas SPAK, Ahmetaj duhet të arrestohet.
Mësohet se në një akt ekspertimi i një celulari të gjetur në shtëpinë e ish-bashkëshortes së Ahmetajt rezulton se ai ka 138 komunikime dhe 3287 mesazhe me Mirel Mërtirin.
“Një ndër provat kryesore është një akt ekspertimi i një celulari i cili është zbuluar në shtëpinë e ish bashkëshortes së Ahmetajt gjatë kontrolleve që u bënë në këtë të fundit. Nga këqyrja e të dhënave të aktit të ekspertimit në 17.3.2023 për ekspertimin e aparatit telefonik i cili është gjetur gjatë kontrollit të shtetases A.M ish bashkëshorte e Ahmetajt janë renditur disa prova dhe fakte që sipas SPAK provojnë edhe lidhjen e fortë mes Mërtirit dhe Ahmetajt. Ky aparat ka qenë në përdorim nga Ahmetaj dhe në rubrikën e telefonatave janë gjetur 138 komunikime telefonike të zhvilluara mes Ahmetajt dhe Mërtirit gjatë periudhës 21 korrik 2012- 10.10.2012. në këtë telefon për 3 muaj Ahmetaj ka pasur 138 komunikime telefonike me Mërtirin çka tregon miqësinë dhe lidhjen mes këtyre dy personave. Janë gjetur dhe zbuluar edhe 3287 mesazhe të shkëmbyera mes palëve në këtë telefon celular”, tha gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar dosjes së Prokurorisë.
Rruga Press