Art & Kulturë

Portretizimi i vuajtjeve të popullit të Kosovës gjatë vitit 1999 në këngët e artistëve ndërkombëtarë

“Fëmijët e Kosovës po qajnë për ndihmë, fëmijët e Kosovës po ëndrrojnë për një tokë të qetë”…

Kështu nis refreni i një kënge të kushtuar posaqërisht për fëmijët e prekur nga lufta në Kosovë, në mes saj dhe Serbisë.

Kënga e cila u bë një odë shprese dhe një tregues tjetër historie në botë u shkrua dhe u këndua nga Kelly Family. Ky i fundit ishte një grup muzikor irlandez-amerikano-evropian i njohur për stilin e tyre unik muzikor dhe përpjekjet humanitare.

Ndonëse hitet e tyre janë të radhitura njëra pas tjetrës, të kënduara nga stadiume të stërmbushura, familja Kelly në repertuarin e saj bëri një vend edhe për historinë e Kosovës.

E publikuar në vitin 1999, në kohën kur CD-të nuk i përkisnin çdo familjeje në Kosovë, teksti i këngës përcjell mesazhe paqeje, shprese dhe dëshirë universale për një botë më të mirë, veçanërisht për fëmijët që kanë duruar vështirësi të paimagjinueshme e në këtë rast, ata të Kosovës.

Përkundër zërit dhe vëmendjes ndërkombëtare që Kelly Family i shtoi Kosovës dhe qytetarëve të saj, kënga shërbeu si kujtesë për krizat e vazhdueshme humanitare dhe nevojën për mbështetje dhe solidaritet ndërkombëtar.

Në një periudhë më të vonshme, kënga u publikua në YouTube me një mori fotografish nga lufta në Kosovë.

YouTube player

Megjithatë, Kelly Family nuk ishin të vetmit që i kënduan Kosovës.

Një tjetër këngë e kujtuar për gjeneratat e asaj kohe dhe më pas, mbetet edhe kënga “No Bravery” nga James Blunt.

Për ta bërë më të qartë, James Blunt ka një kohë shërbimi si ushtarak. Më konkretisht ka shërbyer si ushtar në Ushtrinë Britanike gjatë luftës në Kosovë në fund të shekullit të 20- të.

Çfarë mund të thuhet më së miri për këngën është ndjenja që përçon e rrëfimeve të dëshmitarëve okularë të asaj që po ndodhte në Kosovë nga perspektiva e një ushtari që në fakt ishte i vendosur atje.

YouTube player

Custard Records, Atlantic Records dhe RCA Records publikuan këtë melodi si pjesë e albumit të parë të Blunt, “Back to Bedlam”. U publikua më 17 prill 2007.

“No Bravery” u shkrua nga James Blunt në bashkëpunim me kompozitorin Sacha Skarbek.

James Blunt në fakt kishte një karrierë ushtarake gjashtëvjeçare dhe të larmishme. Ai filloi karrierën e tij të suksesshme muzikore menjëherë pasi doli në pension nga ushtria.

Këngët kushtuar Kosovës mbeten të shumta. Megjithatë, një gjë kanë të përbashkët të gjitha këngët e botës. Siç thoshte Hans Christian Andersen, “Kur fjalët dështojnë, atëherë flet muzika”.

Është e pamohueshme se prezenca e muzikës në jetën e secilit individ mbetet një e atillë aq evidente e për disa, edhe “vitale”. Autorë të ndryshëm flasin bukur shumë për atë se çfarë roli dhe çfarë vlerësimi ka muzika tek njerëzit.

Hugo e përshkruante muzikën si elementi i cili tregonte atë që kurrsesi nuk mund të ishte e heshtur gjersa Nietzsche nga ana tjetër, e konsideronte jetën një gabim pa prezencën e muzikës.

Për dikë një një kënaqësi, për dikë një shoqërues, një psikolog, një doktor e për neve, një rrëfim e kujtesë e botës.

Rruga Press

YouTube player