Sveçla: Kufijtë e Kosovës po ruhen më mirë se kurrë më parë
Ministri i Brendshëm i Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se kufijtë e Kosovës aktualisht po ruhen më mirë se kurrë më parë.
Sveçla në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se janë mbyllur rreth 60 rrugë ilegale, nëpërmjet të cilave kalonin “kriminelë të ndryshëm, e kontrabandues të ndryshëm”.
“Detyrim i imi është të kërkojë nga Policia e Kosovës t’i përmbushë obligimet kushtetuese. Një ndër to është ruajtja e kufirit. Vlerësimet operative i bën vetë Policia. Kufiri po ruhet më mirë se kurrë ndonjëherë. Janë diku rreth 60 rrugë ilegale të cilat shteti i Serbisë, kriminelët e ndryshëm, kontrabandistët i kanë shfrytëzuar më herët pa kurrfarë pengese. Tashmë kjo nuk ndodh apo ndoshta ndodh në përmasa jashtëzakonisht të vogla krahasim me më herët. Mund të themi se ajo pjesë e kufirit në veri është po aq e ruajtur, në kuptimin e antikontrabandës, sa kufiri me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë e Malin e Zi”, tha Sveçla.
I pyetur nëse ka informata për futjen e shtetasve rusë në Kosovë, Svçela ka thënë se shtetasve rusë u duhet viza për t’u futur në Kosovë. Por, ai nuk e përjashton mundësinë që ndonjë element kriminel destabilizues është futur në territor të Kosovës.
“Në ekspozimin e armëve, eksplozivëve e pajisjeve ushtarake në Mitrovicë, keni vërejtur edhe një nga jelekët antiplumb kishte logon e njësisë speciale ruse. Është dëshmi se ose dikush nga Rusia ka ardhur e po vepron ilegalisht në veri të Kosovës, ose dikush nga ekstremistët e asaj ane ka qenë i angazhuar qoftë në luftën në Ukrainë apo në njësitet speciale ruse”, tha Sveçla.
Ai ka thënë se është botërisht e ditur ndikimi negativ e destruktiv o Rusisë në rajon. Dhe se “bota demokratike po bën çdo gjë për të eliminuar apo minimizuar atë”.
Rruga Press