Opinion/Aktualitet

“Modeli serb” i bandave paramilitare si inspirim për Putinin

Në vitet ’90, regjimi i Sllobodan Millosheviqit luftonte me “armata private” të prira nga Shesheli, Arkani dhe “kapetan” Dragani. Këtë model e ka kopjuar Vlladimir Putini me themelimin e njësisë paramilitare Wagner

Shkruan Enver Robelli për Koha.net

Në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë, armata e atëhershme popullore (APJ) u shndërrua në instrument për realizimin e synimeve serbomëdha. Qëllimi ishte shtrirja e Serbisë së Madhe deri afër Zarës në Kroaci dhe, në juglindje, së paku deri në Gjevgjeli, në kufi me Greqinë. Krahas APJ-së së serbizuar pushteti në Beograd krijoi njësi të tjera për të “diversifikuar” luftën. Këto njësi drejtoheshin nga kriminelë si Arkani, i cili më parë kishte bërë një karrierë të “bujshme” nëpër Europë si vrasës me pagesë i shërbimit sekret jugosllav dhe si plaçkitës. Një njësi e drejtonte Vojisllav Shesheli, një nga ultranacionalistët më të zhurmshëm serbë të viteve ‘80 dhe ‘90. Një njësi tjetër e drejtonte “kapetan” Dragani, një serb që ishte kthyer nga Australia për të luftuar për Serbinë e Madhe. Arkani u vra në një hotel në Beograd më 15 janar 2000, pak muaj para se të shporrej Sllobodan Millosheviqi nga pushteti në tetor 2000. Shesheli u akuzua dhe u dënua për krime të luftës nga Tribunali i Hagës. “Kapetan” Dragani u kthye në Australi, por më vonë, me insistimin e drejtësisë kroate, ai u ekstradua në Kroaci ku u dënua me burgim shumëvjeçar. Lufta me njësi në dukje private ishte një përpjekje e pushtetit serb për të privatizuar luftën, duke fshehur gjurmët e shtetit, ndonëse ishte e qartë se pas Arkanit, Sheshelit, “kapetan” Draganit dhe paramilitarëve të tjerë qëndronte fund e krye udhëheqja në Beograd, e sidomos shërbimet sekrete ushtarake dhe policore.

Lexo më shumë  Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Këtë “model serb” të bandave paramilitare duket se e ka kopjuar Vlladimir Putini, duke e autorizuar mikun e tij të deritanishëm Jevgeni Prigoshin të themelojë trupën mercenare, Wagner. Pjesëtarët e Wagnerit luftuan në emër të Rusisë në disa vende afrikane si Mali apo Republika Qendrore Afrikane dhe ndihmuan në luftimin e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare. Pas kritikave të presidentit francez Emmanuel Macron mbi rolin e Wagnerit në Afrikë dhe kërkesave në BE për të vënë Wagnerin në listën e grupeve terroriste, Prigoshin deklaroi se “njerëzve si Macroni duhet nxjerrë me dara dhëmbët e kalbur”. Trupa paramilitare e Putinit, e drejtuar nga Prigoshini, ishte aktive edhe në Siri. Zyrtarisht shteti rus sillej sikur s’kishte të bënte asgjë me Wagnerin, madje nuk dihej kush e drejton këtë bandë paramilitare.

Lufta në Ukrainë ndryshoi shumëçka. Prigoshini e pranoi hapur se e drejton këtë trupë, në opinion u shfaqën incizime ku ai shihej duke rekrutuar luftëtarë nëpër burgjet ruse. Roli i Wagnerit u bë gjithnjë e më i rëndësishëm në Ukrainë pas dështimit kolosak të armatës së rregullt ruse për të pushtuar Kievin. Prigoshin u lavdërua se ai e kishte futur nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit të Bahmutit në Ukrainë. Dhe njëkohësisht, me kalimin e kohës, nisi të kritikojë ashpër ministrin e Mbrojtjes, Sergej Shojgu, dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valeri Gerasimov.

Në një video Prigoshin shihet para kufomave të mercenarëve të tij të vrarë ndërsa akuzonte Shojgunë dhe Gerasimovin për dështim në frontin e luftës. Prigoshini ishte “idiot i dobishëm” për Putinin për aq kohë sa e kritikonte ushtrinë për dështime në Ukrainë. Me rritjen e ndikimit të Wagnerit, Prigoshinit iu rritën edhe ambiciet. Dhe gjatë fundjavës përbindëshi që e kishte krijuar vetë i doli nga dora Putinit. Lehtësia me të cilën trupat e Wagnerit marshuan pothuaj të papenguara nga kufiri i Ukrainës drejt Moskës shpalosi shumë dobësi në sistemin rus të sigurisë. Faqe botës Putini u shpërfaq si lider i dobët që rrezikohet nga një njësi paramilitare. Hutia e madhe që mbretëroi në Moskë gjatë fundjavës shihej edhe në reagimet e Putinit. Së pari iu drejtua popullit duke e akuzuar Prigoshinin për tradhti (pa ia përmendur emrin).

Lexo më shumë  Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Autoritetet ruse paralajmëruan hetime ndaj tij. Sa më shumë që Prigoshin përparonte drejt Moskës, aq më i madh paniku në Kremlin. Në negociatat e fshehta, të cilat i drejtoi diktatori bjellorus Aleksander Lukashenko, Prigoshinit befas iu garantua amnistia nga ndjekja penale dhe largimi i sigurt në Bjellorusi. Kjo ikje është një ironi e madhe: para disa vitesh Lukashenko kishte arrestuar disa pjesëtarë të Wagnerit të cilët i akuzonte për përpjekje për rrëzimin e pushtetit në Minsk. Tani shefi i Wagnerit është mysafir i Lukashenkos. Nuk dihet se cili do të jetë fati i Prigoshinit në të ardhmen pas poshtërimit që ia bëri Putinit. Ai mund të pijë ndonjë çaj në Minsk i cili mund t’ia marrë jetën. Mund të bie nga dritarja. Mund të vdesë në ndonjë aksident. Kjo nuk është e thënë të ndodhë menjëherë. Pas poshtërimit në fundjavë Putini si ish-agjent i KGB-së me siguri do të bëjë plane për hakmarrje.

Rruga Press

YouTube player