Teknologjia mund të “riformatojë” muzetë dhe galeritë italiane të artit
Muzetë dhe galeritë e Italisë hapën dyert me synimin për të rikuperuar 190 milionë euro (225 milionë dollarë) të ardhura që munguan vitin e kaluar. Por rihapja për vizitorët vjen me një risi: një projekt i ri të dhënash që pritet t’i ndihmojë kuratorët të kuptojnë se cilat piktura dhe skulptura marrin vëmendjen më të madhe. Një ekip kërkimor në agjencinë e teknologjive të reja në Itali, ENEA, ka zhvilluar një sistem të bazuar në pajisje që mund të llogaritin se sa kohë dhe nga sa afër e vëzhgojnë një vepër vizitorët e muzeut.
Sistemi quhet ShareArt dhe kamerat e tij pozicionohen pranë veprave, duke monitoruar numrin e vëzhguesve dhe sjelljen e tyre ndërsa shikojnë një pikturë, skulpturë ose objekt, përfshirë kohën e kaluar para saj dhe distancën nga e cila e kundrojnë.
Kjo mund të ndihmojë në përcaktimin e asaj se sa tërheqëse është një vepër specifike, çka mund të çojë në ndryshime në strukturimin e tyre brenda muzeut ose galerisë.
Sistemi është konceptuar fillimisht nga Riccardo Scipinotti në vitin 2016, por po testohet javët e fundit, pas një vendimi të qeverisë për të rihapur plotësisht muzetë dhe galeritë që ishin mbyllur kryesisht për shkak të pandemisë.
Katërmbëdhjetë pajisje ShareArt po instalohen falë një projekti të përbashkët me Istituzione Bologna Musei, duke përdorur një sit që u ofron studiuesve mundësinë të provojnë teknologjinë e tyre në ekspozita me një koleksion të gjerë veprash arti të formave, periudhave dhe madhësive të ndryshme, pa kompromentuar privatësinë e vëzhguesve.
“Falë përpunimit të thjeshtë të të dhënave, interesi i një vëzhguesi mund të përkthehet në një grafik dhe ne mund të zbulojmë se ku përqendrohet vëmendja e shumicës së njerëzve”, thonë ideatorët e projektit, të cituar nga Bloomberg.
ShareArt gjithashtu gjurmon se sa klientë ndalojnë përpara një vepre arti dhe sa kohë rrinë aty. Shumë pak vepra i mbajnë vizitorët e muzeut apo galerisë të “ngjitur” në vend për më shumë se 15 sekonda, thanë studiuesit, të cilët kohën mesatare për të shijuar një vepër arti e kanë përllogaritur në vetëm 4 deri në 5 sekonda.
Të dhënat mund të çojnë në ndryshime në ndriçimin, vënien në skenë dhe vendosjen e veprave artistike në lidhje me njëra-tjetrën.
Statuja me madhësi jetësore e Apollonit të Veii, që daton nga viti 510-500 p.K., është një rast i tillë, thanë studiuesit. Megjithëse statuja është një nga xhevahiret e kurorës në Muzeun Kombëtar Etrusk të Romës, një test i veçantë i ShareArt tregoi se relativisht pak vizitorë i japin asaj vëmendjen që ekspertët mendojnë se e meritojnë. Vendosja afër fundit të koleksionit, mundësisht e zgjedhur sipas qasjes “më e mira në fund”, mund të jetë udhëheqëse e klientëve për të parë të gjithë artefaktin.