Sveçla: Amnistia ndër vite e kriminelëve ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se secili që ka organizuar e ka qenë pjesë e sulmeve në veri, do të sillet para drejtësisë.
Sveçla ka shtuar se bandat kriminale në veri të vendit ndër vite kanë ushtruar terror mbi qytetarët përmes akteve të tyre të ndryshme kriminale. Ai ka reaguar pas arrestimit të një serbi, Nenad Orloviq, i dyshuar për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan.
“Pandëshkueshmëria dhe amnistia ndër vite e kriminelëve të tillë, ka rezultuar me sulme brutale ndaj KFOR-it nga të cilat mbi 30 pjesëtarë mbetën të lënduar”, ka shkruar ai në Facebook.
Sveçla ka përmendur edhe sulmin ndaj dy shqiptarëve të cilët kanë raportuar në Polici se janë sulmuar nga rreth 15-20 persona, disa prej të cilëve të maskuar.
“Qytetarët tanë, veçanërisht ata shqiptarë, janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ata që kanë qëndruar janë rrahur, maltretuar e terrorizuar në vazhdimësi nga këto grupe kriminale. Shumë prej tyre janë larguar nga aty pikërisht për shkak të këtij terrori të ushtruar sistematikisht nga struktura kriminale me urdhër nga Beogradi. Akte të njëjta kanë ndodhur edhe ndaj qytetarëve të etnisë serbe të cilët kanë njohur dhe kanë bashkëpunuar me institucionet tona”, ka shkruar tutje ai.
Sveçla ka theksuar se lufta ndaj bandave “që kanë për synim terrorin ndaj qytetarëve tanë e destabilizimin e vendit” nuk do të ndalet.
“Republika nuk trembet. Secili do të japë llogari për secilin krim”.
Rruga Press